Kovaçevski: Të dielën mbahet takimi me partnerët e koalicionit qeveritar

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Të dielën do të mbahet takimi i partnerëve të koalicionit që janë pjesë e Kuvendit dhe Qeverisë, ku ndër të tjera do të rikonfirmohet qëndrimi për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në vitin 2024 së bashku me zgjedhjet presidenciale.

Lajmin e ka konfirmuar sot për mediat kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski tha se në atë takim, të gjithë do të shprehin mendimin e tyre dhe qëllimi është që të rishqyrtohet gjithçka që është bërë në drejtim të përballjes me krizën në muajt e fundit që nga formimi i qeverisë së re.

“Ndër të tjera do të informojmë për masat që do të ndërmerren, të cilat janë të përcaktuara në buxhetin suplementar, do të rishikojmë edhe aspektin e krizës energjetike, krizën me rritje të çmimeve në bursat botërore për energjinë, lëndët e para të shkaktuara nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe tema të ngjajshme”, sqaroi Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë pjesëmarrjes në Forumin për Dialog të Prespës.

Advertisement

Ai shtoi se do të trajtohet edhe rëndësia e zbatimit të politikave të përgjithshme në vend me qëllim të ruajtjes së standardit të popullatës dhe përmirësimit të sistemit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe harmonizimit me sistemin e BE-së.

Sipas Kovaçevskit, do të jetë një takim pozitiv në të cilin, siç tha ai, “qytetarët do të binden se ka një shumicë qeverisëse dhe një qeveri që kujdeset për standardin e jetesës së qytetarëve dhe për të siguruar gjithçka që një qeveri duhet të sigurojë në kohë krizash më të mëdha”.

Kjo mbledhje dëshmon se është ndryshe nga ajo që po bën opozita, sepse, siç tha ai, aty shohim vetëm shkatërrim dhe bllokim.

“Akoma më keq, ka parti politike në opozitë që janë hapur kundër anëtarësimit tonë në BE dhe NATO dhe që shkojnë hapur në takime në Moskë në një kohë kur e gjithë Europa së bashku me Shtetet e Bashkuara po luftojnë për të ruajtur demokracinë në të gjithë shtetet anëtare dhe vendeve kandidate të BE-së”, tha Kovaçevski.

Advertisement

Sa i përket bisedimeve të mëtutjeshme me Bullgarinë, Kovaçevski tha se Maqedonia ka marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët dhe një çështje të hapur me Bullgarinë, që shpreson të zgjidhet.

Kovaçevski: Të dielën mbahet takimi me partnerët e koalicionit qeveritar shkruan Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy