
Kuvendi sot konfirmoi dorëheqjen e deputetit Salim Sulejmani nga Aleanca për Shqiptarët dhe ngarkoi Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) që të njoftojë Kuvnendin për kandidatin që do ta zëvendësojë atë nga lista zgjedhore me qëllim verifikimin e mandatit të tij si deputet në përputhje me nenin 153 të Kodit Zgjedhor.
Salim Sulejmani dha dorëheqjen nga të gjitha pozicionet në Aleancën për Shqiptarët, si dhe nga pozicioni i deputetit në Kuvend më 18 maj, duke përmendur përgjegjësinë morale, profesionale dhe politike, dhe me dorëheqjen e tij, VLEN merr një deputet të ri.
Në një deklaratë publike, Sulejmani kritikoi afrimin me BDI-në dhe e përshkroi atë si një “kompromis të padenjë”.
“Nuk mund të jem pjesë e një aleance që bën kompromis me njerëz të përmendur në listat e zeza ndërkombëtare”, tha Sulejmani.
Ai shpjegoi se hyrja e tij në politikë ishte motivuar nga dëshira për ndryshim të vërtetë, jo nga ambiciet personale. Ai theksoi se BDI është një “strukturë e lidhur me interesa klanore dhe personale” dhe shtoi se e konsideronte koalicionin VREDI si “antitezën e matricës së korruptuar”.
Sipas listës së kandidatëve nga zgjedhjet e fundit parlamentare, Valbona Adili Emini, pediatre dhe anëtare e Lëvizjes Besa, është e radhës në zonën e pestë zgjedhore.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do ta njoftojë Kuvendin për verifikimin e mandatit të deputetes Valbona Adili Emini, në vendin e deputetit Salim Sulejmani nga koalicioni VLEN.
Në seancën e sotme KSHZ-ja konstatoi se Adili Emini e pranon mandatin, për të cilin i lëshohet edhe certifikatë me shkrim, pas dorëheqjes së Sulejmanit./Telegrafi/
The post Kuvendi sot konfirmoi dorëheqjen e deputetit Salim Sulejmani appeared first on Telegrafi.