Kuvendi votoi ndryshimet në Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ku shfuqizohet lirimi nga TVSH-ja për dërgesat online me vlerë deri në 22 euro.
Nga Ministria e Financave thonë se “qëllimi i këtyre ndryshimeve ligjore është përforcimi i ekonomisë vendore, mbështetja e kompanive vendore dhe krijimi i vendeve të reja të punës”.
“Zbatimi i ndryshimeve pritet të ketë efekte pozitive të drejtpërdrejta në ekonominë dhe punën e kompanive vendore. Me shfuqizimin e lirimit, rreth 4 milionë denarë në muaj, do të ridestinohen në ekonominë vendore, aq sa është edhe vlera e qarkullimit në platformat e huaja online në periudha të caktuara. Këto mjete do të ndihmojnë në rritjen e kompanive lokale, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e kushteve dhe rritjen e pagave të punonjësve”.
“Këto ndryshime paraqesin hap të rëndësishëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e ekonomisë vendore, veçanërisht në kushtet e globalizimit intensiv dhe rritjes së tregtisë dixhitale. Për më tepër, modeli i ri do të kontribuojë në uljen e ekonomisë gri. Sistemi i mëparshëm lejonte abuzime të mundshme – importimin e mallrave të liruara nga TVSH-ja që më pas shiten në tregun vendas. Zgjidhjet e reja ligjore e parandalojnë këtë praktikë dhe sigurojnë mjedis tregu të drejtë dhe të kontrolluar”.
“Kostoja e përllogaritjes dhe pagesës së TVSH-së nuk do të mbulohet nga qytetarët, që do të thotë se nuk do të ketë ndryshim të çmimeve për konsumatorët fundorë, dhe masa do të sigurojë konkurrencë të drejtë ndërmjet shitoreve online vendase dhe të huaja. Me miratimin e ndryshimeve, shteti dërgon mesazh të qartë mbështetjeje për kompanitë që krijojnë vlerë të shtuar, investojnë në zhvillim dhe krijojnë vende të reja pune në vend”, thonë nga Ministria e Financave.
