
Liderët e VLEN-it dje kanë realizuar takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, me të cilin kanë diskutuar për funksionimin e Qeverisë. Siç njoftojnë nga Qeveria, takimi ka qenë konstruktiv dhe është diskutuar për çështjet e reformës, luftën kundër krimit.
“Takim ishte konstruktiv në frymë miqësore dhe partneriteti. U bisedua për të gjitha çështjet e reformës, luftën kundër krimit dhe ndryshimet në sistemin që e lanë BDI dhe LSDM. Qytetarët nuk do të zhgënjehen. Bisedimet vazhdojnë”, thonë burimet nga Qeveria.
Reagimet pas këtij takimi kanë qenë të menjëhershme kurse i pari ironizoi Taravari me statusin në rrjetet sociale “Reagim? S’ja vlen”. Zeqirija Ibrahimi në postimin e tij, shkruan se nuk mund të jetë aleatë i tyre dhe i kësaj qeverie asnjë nga vegëzat e BDI-së që është e kapur në rrjetin e krimit.
“Politika joparimore e dy karrigeve dhe e qëndrimeve ku nuk merret vesh kush është partneri, kush është aleati e kush është oponenti, tashmë ka perënduar. Të gjithë që mendojnë se mund të luajnë ndryshe nuk mund të jenë partnerë tanë dhe të kësaj qeverie. VLEN-i nuk mund të lejojë që në qeveri ta ketë partner edhe BDI-në përmes vegëzave ose veglave që janë kapur keq në rrjetin e Oligarkisë së Krimit e Korrupsionit. Edhe BDI, edhe Qeveri, ollmaz Doktor!”, deklaroi Zeqirija Ibrahimi, VLEN.
Mexhiti nga ana tjetër shkroi se “po i fikën dritat hipokrizisë”.
“Të ftuam të bëhesh bartës i ndryshimit. U bëre simbol i Revolucionit të dritave. Edhe pse humbës në qytetin tënd, shpërndaje ‘Efridol’ për BDI-në. Euforia jote paska qenë vetëm sa për kamerë. Asgjë e sinqertë. Asnjë dritë e vërtetë. Sonte VLEN vendosi – dritat fiken për hipokrizinë. Dyftyrësia… nuk ia VLEN!”, tha Izet Mexhiti.
Një ditë më parë, edhe kryetari i ASH-së Arben Taravari, realizoi takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, pas deklaratave të tij se në zgjedhjet lokale nuk do të jetë pjesë e VLEN-it. Pritet që deri në fund të muajit partia e Taravarit të largohet nga pushteti ekzekutiv.
The post Liderët e VLEN-it pas takimit me Mickoskin: Kushdo që bëhet vegël e BDI-së në rrjetin e krimit, nuk ka vend në Qeveri appeared first on Telegrafi.