
Përfaqësuesit e koalicionit VLEN, sot kanë vizituar Medresenë “Isa Beu” në Shkup, pas kalimit të ligjit në qeveri për akreditimin e Medresesë. Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, shprehu falënderim për kalimin e ligjit në Qeveri dhe tha se kjo do të ndikojë në rritjen e numrit të nxënësve në medrese.
“Shprehim falënderime për punën që kanë bërë. këtë ditë dhe kalimin e këtij ligji e definojmë si ngjarje historike, pasi përpjekjet tona mbi katër dekada tashmë janë realizuar dhe tani medreseja dhe nxënësit e saj barazohen me nxënësit e shkollave të mesme në RMV”.
“Kam bindjen se ka pasur ambient për të shprehur gëzim për këtë ligj, kjo do të ndikojë në rritjen e numrit të nxënësve në gjithë territorin. Pasi të gjithë ata që duan të ndjekin procesin edukativo-arsimor në medrese, janë të bindur se do të kenë mundësi të vazhdojnë në të gjitha fakultetet e vendit dhe jashtë vendit”, tha mes tjerash Fetahu.
Ndërsa zv.kryeministri Izet Mexhiti, tha se është eliminuar një nga diskriminimet e të kaluarës, sa i përket nxënësve të medresesë.
“Eliminohet një diskriminim i të kaluarës, edhe përfaqësues të BFI edhe përfaqësues të politikës nuk në të kaluarën ne politikanët nuk kemi ditur të japim përgjigje pse nxënësit e medresesë “Isa Beu” nuk kanë mundur të shkollohen si të tjerët. Sot konstatojmë që eliminohet ky diskriminim dhe do të ketë barazi. Tani udhëheqësia e medresesë duhet të merret me cilësinë e mësimit dhe kushteve, ndërsa pjesa tjetër është realizuar”, tha Mexhiti.
I pyetur se kur do ta dorëzojnë në Kuvend, Mexhiti tha se pret që deri në shtator edhe zyrtarisht Medreseja “Isa Beu” të jetë e barabartë me të gjithë shkollat e mesme tjera./Telegrafi/
The post Liderët e VLEN-it vizitojnë Medresenë “Isa Beu”, Fetahu: Nxënësit e medresesë janë barazuar me nxënësit tjerë appeared first on Telegrafi.