Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për zhvillimin e tregut të kapitalit, që do të mbahet ditën e sotme më 25 gusht 2025 (e hënë) në Zagreb, Republika e Kroacisë.
Eventi organizohet nga Ministria e Financave e Republikës së Kroacisë dhe është iniciativë rajonale në të cilën marrin pjesë: Kroacia, Bullgaria, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia.
“Nënshkrimi i memorandumit do ta konfirmojë angazhimin e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit në fushën e tregjeve të kapitalit, përmes përmirësimit të legjislacionit dhe rregullativës, integrimit të infrastrukturës, digjitalizimit dhe harmonizimit”.
“Kjo iniciativë ka për qëllim të dërgojë sinjal të fuqishëm ndaj investitorëve, tregjeve dhe partnerëve ndërkombëtarë, se vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore janë të përkushtuara ndaj reformave të koordinuara dhe të harmonizuara, si dhe ndaj krijimit të kushteve për rritje ekonomike afatgjate dhe të qëndrueshme. Në kuadër të këtij eventi, ministrja do të marrë pjesë gjithashtu në një panel ministror, ku do të shkëmbejë përvoja dhe praktika më të mira me kolegët e saj nga rajoni”.
“Pjesëmarrja e ministres Dimitrieska-Koçoska në këtë event të rëndësishëm paraqet konfirmimin e angazhimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta thelluar bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe për t’u angazhuar në mënyrë aktive në iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e tregjeve dhe përforcimin e besimit të investitorëve”, thonë nga Ministria e Financave.
The post Maqedonia i bashkohet iniciativës për avancimin e tregjeve të kapitalit në Evropën Qendrore dhe Juglindore appeared first on Telegrafi.