
Lidhja e sindikatave të Maqedonisë i thirri punëtorët e sektorit privat që t’i bashkëngjiten protestës së 1 Majit, kur nga qeveria dhe punëdhënësit do të kërkohet që paga minimale të jetë 500 euro dhe rritje të pagave në të gjitha sektorët. Nga Sindikata thonë se edhe pse ka skaduar, duhet të respektohet Marrëveshja kolektive për sektorin privat dhe paga të caktohet sipas formulës për pagë minimale e shumëzuar me koeficientin e vendit të caktuar të punës. Andaj sipas LSM-së është e rëndësishme që paga minimale të jetë 500 euro.
“Në këto veprimtari pune intensive nga sektori privat nuk duhet të ketë paga nën 50-60 mijë denarë. Kjo kërkesë jonë ka të bëjë me të gjithë punëdhënësit nga sektori privat, sidomos me ata të cilët para disa ditësh u prononcuan se nuk kanë kuadro të kualifikuar. Do t’u mungojnë edhe më shumë punëtorë nëse nuk i rrisin pagat. Me të gjithë respekt ndaj punëdhënësve të caktuar që i respektojnë ligjet dhe marrëveshjen kolektive dhe këto probleme që moti i kanë tejkaluar, por bëhet fjalë për përqindje të ulët nga numri i përgjithshëm të punëdhënësve”, tha Ivan Peshevski, nënkryetar i LSM-së për sektorin privat.
Peshevski thotë se gjithnjë e më shumë të punësuar nga sektori privat kërkojnë mbrojtje juridike për shkak se nuk u respektohen të drejtat e punëtorëve.
“Për këta të punësuar, përveç të punësuarve të sektorit publik, LSM ka dorëzuar një sërë denoncimesh dhe ka siguruar ndihmë juridike, sidomos për të prekurit në pjesën e pagave të papaguara ose të ulura në afatin ligjor, regres të papaguar për pushimet vjetore dhe kompensime të papaguara të pagës etj. Të kujtojmë vetëm brenda 2024, ndihmë dhe mbrojtje juridike falas morën 12.234 punëtorë të cilët u drejtuan në LSM dhe sindikatat që janë bashkuar me LSM”, deklaroi Ivan Peshevski, nënkryetar i LSM-së për sektorin privat.
Nga LSM porositën që punëdhënësit dhe qeveria ta kërkojnë fajin në radhët e tyre e jo te punëtorët për shkak se do të mbetemi edhe pa ata punëtorë të cilët ende e japin maksimumin e vet për ekzistencën e tyre dhe të familjeve të tyre këtu në Maqedoni.
The post Më 1 maj protesta e LSM-së: Punëtorët e sektorit privat t’i bashkohen protestës appeared first on Telegrafi.