
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, po merr pjesë në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës 2025, e cila po mbahet në Romë, Itali.
Siç kumtoi MMJPH, bëhet fjalë për konferencën e katërt me radhë me karakter ndërkombëtar, të dedikuar për rimëkëmbjen dhe rindërtimin afatgjatë të Ukrainës. Ngjarja është bashkëorganizuar nga qeveritë e Italisë dhe të Ukrainës, ndërsa qëllimi kryesor është mobilizimi i burimeve qeveritare, financiare dhe private për të mbështetur rindërtimin e vendit të goditur nga lufta.
Në Romë, zëvendëskryeministri Mexhiti e ka ripërsëritur qëndrimin e palëkundur të Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, si dhe gatishmërinë për të kontribuar në procesin e rindërtimit.
“URC 2025 përfaqëson vazhdimin e serisë vjetore të forumeve të nivelit të lartë politik e cila që nga viti 2022 bashkojnë qeveri, institucione financiare ndërkombëtare dhe dhoma ekonomike rreth vizionit për një “rrugë të shpejtë, të qëndrueshme dhe evropiane të rimëkëmbjes së Ukrainës”, ceket në kumtesë.
Në kumtesë thuhet se pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në nivelin më të lartë edhe një herë dëshmon se vendi ynë mbetet përkrahës i qëndrueshëm i Ukrainës dhe pjesëmarrës aktiv në forcimin e solidaritetit evropian dhe partneritetit me NATO-n dhe BE-në.
The post Mexhiti nga Roma: Mbështesim integritetin territorial të Ukrainës, të gatshëm të kontribuojmë në procesin e rindërtimit appeared first on Telegrafi.