
Ministria e Financave njofton se dje Qeveria gjatë mbledhjes, me propozimin e Ministrisë së Financave, miratoi Ribalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2025, ku u inkorporuan amendamentet që u miratuan gjatë diskutimit të Komisionit të Financimit dhe Buxhetit, me të cilat sigurohen mjete shtesë për Ministrinë e Transportit, Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Nga ministria thonë se bëhet fjalë për 6 milionë denarë mjete shtesë për dokumentacionin projektues lidhur me rrugicën në Komunën e Kumanovës në Buxhetin e Ministrisë së Transportit, 50 milionë denarë mjete shtesë për pagesën e ndihmave sociale në buxhetin e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe 5 milionë denarë për Universitetin “Goce Dellçev” në Buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
“Me propozimin e plotësuar, të miratuar nga Qeveria janë siguruar mjete te shfrytëzuesit buxhetorë të caktuar me qëllim të servisimit të rregullt të detyrimeve, përkatësisht me këto rishpërndarje është kryer rritja e mjeteve për shfrytëzues buxhetorë të caktuar, njëkohësisht është bërë ulja e mjeteve te shfrytëzuesit buxhetorë të caktuar, me qëllim që shpenzimet të jenë të harmonizuara me realizimet e deritanishme dhe pritshmëritë deri në fund të vitit. Ndryshimet shtesë kanë të bëjnë edhe me sigurimin e mëtejshëm të mjeteve për pagat, si dhe për servisimin e detyrimeve”.
“Ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit të vitit 2025, ndjekin prioritetet bazë të politikave fiskale të cilat synojnë vazhdimin e konsolidimit fiskal, duke siguruar stabilitet makroekonomik dhe nxitje të zhvillimit, pa ndryshuar projeksionin e nivelit të deficitit buxhetor. Me këtë ribalanc, të hyrat e përgjithshme janë projektuar në nivel prej 362.4 miliardë denarësh ose rreth 1% më shumë se buxheti, përkatësisht rreth 3.5 miliardë denarë”.
“Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar të jenë në nivel prej 403.7 miliardë denarësh dhe po ashtu shënojnë rritje prej rreth 1 %, përkatësisht rreth 3.5 miliardë denarë, që vjen para së gjithash si rezultat i komponentit zhvillimor”.
“Me ribalancin e propozuar kryhet rialokimi i mjeteve midis shfrytëzuesve buxhetorë, sigurohen mëtej mjete për pagesën e vazhdueshme të pagave të rregullta në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku është siguruar rritje e pagave prej 10% të të punësuarve në këtë ministri. Po ashtu, janë siguruar mjete shtesë për pagesën e rritjes së pensioneve dhe shpenzimeve të tranzicionit, si dhe mjete shtesë prej rreth 300 milionë denarëve për shpenzimet kapitale”, thonë nga ministria.
Më tej shtojnë se shpenzimet kapitale janë planifikuar në vlerë prej 47.4 miliardë denarëve dhe janë në drejtim të shtimit të mjeteve për dinamizmin e realizimit të projekteve, te të cilat tashmë është konfirmuar realizim i mirë, kryesisht në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Ribalanci nuk e rishikon normën e rritjes dhe ajo mbetet 3.7%, siç parashikohet në Buxhetin e vitit 2025. Inflacioni u projektua të jetë 2.8% dhe pritet stabilizimi i tij, ndërsa shkalla e papunësisë është planifikuar të jetë 11.1%”, thonë nga ministria.
The post MF: U miratua ribalanci i plotësuar i buxhetit, janë siguruar më shumë mjete për projekte infrastrukturore, arsim dhe mbrojtje sociale appeared first on Telegrafi.