Hristijan Mickoski kryeministri i Maqedonisë së Veriut, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske, theksoi se në të kaluarën të dyja agjencitë, pra Agjencia për Zbulim dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, kanë shfrytëzuar resurset shtetërore për ta përgjuar atë, por edhe biznesmenë dhe gazetarë.
“Unë nuk do të mund të flisja për detajet, supozoj se edhe drejtori do ta thotë këtë, pasi që është sekret shtetëror dhe kështu janë klasifikuar ato dokumente. Por një gjë është fakt, se të dyja agjencitë, si Agjencia për Zbulim ashtu edhe ASK, në mënyrë të detajuar janë marrë atëherë me kryetarin e partisë më të madhe opozitare, domethënë me mua, ndër të tjera edhe me biznesmenë dhe gazetarë”.
“Prandaj, le të lëmë kohë që procesi të rrjedhë, të shohim çfarë do të thotë prokuroria, gjykatësit normalisht në një proces gjyqësor. Unë jam mësuar, tash po mbushen tetë vjet që jam kryetar i OBRM-PDUKM-së, jam mësuar me një lloj të tillë njerëzish dhe nuk më befason kjo, pasi edhe atëherë na vinin informata se çfarë po ndodhë”, tha Mickoski.
Mickoski thotë se bëhet fjalë për njerëz të dyshimtë, të cilët nuk kanë në jetë motiv të merren me gjëra të bukura, prandaj merren me jetët e të tjerëve, duke menduar se në atë mënyrë do të marrin ndonjë lavdatë dhe do të avancohen në karrierën e tyre.
“Thjesht, një lloj i tillë njerëzish, unë do t’i quaja ‘të dyshimtë, nuk kanë në jetë motiv të merren me gjëra të bukura, merren me jetët e të tjerëve duke menduar se në atë mënyrë do të fitojnë ndonjë lavdatë, ndonjë përparësi tek urdhërdhënësit e tyre dhe do të avancohen kështu në karrierë. Por, çdo gjë ka fillim dhe ka edhe fund. Pres që këta ‘brejtës’ të përfundojnë aty ku e kanë vendin, pas hekurave dhe njëherë e përgjithmonë të vihet pikë mbi abuzimin e këtyre agjencive dhe të resurseve që ata kanë në dispozicion”, tha Mickoski.
The post Mickoski: AZ dhe ASK kanë shfrytëzuar resurset shtetërore dhe më kanë përgjuar appeared first on Telegrafi.