Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës informuan pasdite publikun se në përputhje me Informacionin e miratuar për zbatimin e masave nga Faza 3 e Planit të veprimit për parandalimin e pasojave nga valët e të nxehtit mbi shëndetin e popullsisë (2025 – 2030), koordinon dhe implementon në mënyrë aktive rekomandimet për mbrojtjen e punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës në periudhën e verës.
Në kushtet e valëve ekstreme të të nxehtit, Ministria u bën thirrje të gjithë punëdhënësve në sektorin publik dhe privat të zbatojnë masat si vijon:
“Shtyrja e aktiviteteve të punës gjatë orëve më të nxehta të ditës, nga ora 11 e mëngjesit deri në orën 5 pasdite, veçanërisht për punëtorët e ekspozuar ndaj nxehtësisë së drejtpërdrejtë. Krijimi i mundësive për punë në distancë, fleksibël ose të dyhershme aty ku është e realizueshme. Sigurimi i kushteve të përshtatshme mikroklimatike në ambientet e punës, me temperaturë deri në 25°C, me përjashtim të rasteve kur këtë nuk e lejon natyra e procesit të punës. Lirim nga detyrimet e punës të grave shtatzëna dhe personave mbi 60 vjeç, nëse nuk janë siguruar kushte përkatëse për punë, me përjashtim të të punësuarve në infrastrukturë kritike (shëndetësi, polici, armatë, transport, energjetikë, ndërmarrje publike komunale)”, citohet në kumtesë.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të monitorojë dhe koordinojë aktivitetet për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante.
“Këto masa synojnë të zvogëlojnë rreziqet e stresit nga nxehtësia dhe pasojat e tjera shëndetësore për të punësuarit si pjesë e përgjigjes kombëtare ndaj sfidave të ndryshimeve klimatike dhe kushteve ekstreme të motit. Ministria i bën thirrje publikut dhe sektorit të biznesit për bashkëpunim dhe përgjegjësi në zbatimin e rekomandimeve për mbrojtjen e punëtorëve dhe sigurimin e kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës”, theksohet në kumtesë.
The post Ministria e Ekonomisë dhe Punës: Të zbatohen masat për mbrojtjen e punëtorëve në kushtet e valëve të të nxehtit appeared first on Telegrafi.