Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka shpallur të hapur Konkurset për realizimin e projekteve vjetore me interes nacional për vitin 2026 në gjithsej dhjetë kategori, që do të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë muajit tetor (30 shtator -31 tetor). Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta që duhet të plotësohen nga aplikanti janë kryesisht të njëjta me ato të vitit të kaluar. Në udhëzimet për secilën veprimtari po ashtu janë shënuar shumat maksimale të mbështetjes financiare. Deri në 4 milionë denarë (Manifestimet) 3 milionë denarë (Ndërkombëtare), 1.5 milionë denarë (Muzeal), në 1 milion (Drama), 800 mijë (Muzika), ndërsa maksimumi tek Botimet dhe Trashëgimia është 500 mijë denarë, 450 mijë (Folklori) (Art dizajn), 250 mijë (Bibliotekat). Prioritet do të kenë ato projekte që promovojnë artin dhe kulturën vendase, që shënojnë data jubilare, apo që organizohen në destinacione kulturore dhe turistike në vend, që kultivojnë dhe afirmojnë identitetin nacional të komuniteteve.
Subjektet juridike, me përjashtim të institucioneve lokale, mund të konkurrojnë në maksimum në dy fusha me maksimum dy projekte në secilën fushë, pra një subjekt i vetëm juridik mund të paraqesë gjithsej katër projekte. Subjektet fizike mund të konkurrojnë në maksimum dy fusha me 1 (një) projekt në secilën fushë, pra një person fizik mund të paraqesë gjithsej dy projekte. Në fushën e letërsisë dhe botimeve, subjektet juridike mund të konkurrojnë me maksimum dhjetë projekte, ndërsa personat fizikë me një projekt.
Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të MKT, ndërsa aplikimi elektronik do të zbatohet plotësisht përmes Portalit Kombëtar për shërbimet elektronike. Përdoruesit do të mund të gjejnë udhëzime teknike dhe mbështetje gjatë regjistrimit në ueb faqen uslugi.gov.mk, si dhe përmes qendrës së kontaktit të këtij portali kombëtar. Përdoruesit këtë vit do të mund të kërkojnë ndihmë në pjesën e aplikimeve, nga pikëpamja profesionale, në departamentet e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, përmes kontaktet me personat përgjegjës dhe e-mail adresat e tyre në uebin zyrtar.
Lidhur me Konkurset Vjetore të vitit të kaluar nga gjithsej 2.888 aplikime përmes sistemit elektronik të aplikimit, vetëm 1.365 projekte morën mbështetje. Vjet u ndryshua edhe metoda e financimit e aktiviteteve programore për 18 institucione kombëtare, të cilat përfituan buxhet të deleguar, ndërsa ishin të detyruara të publikojnë përmbajtjen e programit të tyre vjetor në faqet e tyre të internetit.
Sa i takon komisioneve, të cilat u zëvendësuan në shkurt të këtij viti me emra të rinj, MKT nuk ka bërë ndonjë njoftim, jozyrtarisht disa emra mund të zëvendësohen me të rinj, kryesisht disa nga anëtarët shqiptarë të komisioneve. (koha.mk)