Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, përmes të dhënave të marra nga stacionet matëse automatike të Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, njofton se nuk është kaluar pragu ligjor i grimcave të dëmshme PM10 në Trubarevë, pas djegies së deponisë.
Nga ministria thonë se sipas matjeve të bëra për grimcat e pezulluara deri në 10 mikrometra (PM₁₀), koncentrimi mesatar ditor gjatë ditës së djeshme ka qenë 19.7 µg/m³; vlera maksimale e matur ka arritur 39 µg/m³; koncentrimi aktual është 7.5 µg/m³.
“Rezultatet e deritanishme nga matjet tregojnë se të gjitha vlerat mesatare të koncentrimit masor të PM₁₀ lëvizin brenda kufijve ligjorë të lejuar dhe deri tani nuk është regjistruar tejkalim i pragjeve të përcaktuara”, thonë nga ministria.
Gjithashtu theksojnë se “ministria mbetet e përkushtuar për të informuar në mënyrë transparente opinionin dhe për të ndjekur rregullisht gjendjen e cilësisë së ajrit, me qëllim mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve”.