Zëdhënësja e Qeverisë dhe anëtare e Komitetit ekzekutiv të OBRM-PDUKM-së, Marija Miteva, theksoi se partia është e përkushtuar ndaj reformave dhe progresit dhe në zgjedhjet e ardhshme lokale do të dalë me kandidatët më të mirë, emrat e të cilëve do të bëhen të ditur së shpejti.
“Pritet që partia javën e ardhshme ose menjëherë pas saj të ketë mbledhje të Komitetit ekzekutiv për të shpallur emrat e kandidatëve të OBRM-PDUKM-së. Sa i përket kapacitetit të koalicionit, mund të them se OBRM-PDUKM ka një koalicion aktiv që mori pjesë në zgjedhje dhe në të si anëtare ka 24 parti politike. Është një koalicion i qëndrueshëm, askush nuk është larguar dhe ekziston mundësia që të rritet në zgjedhjet lokale”, ka thënë Miteva gjatë pjesëmarrjes në Alsat.
Qeveria, siç tha ajo, vitin e kaluar ka investuar shumë në komuna, pavarësisht se cilës parti politike i takojnë kryetarët e komunave.
“OBRM-PDUKM si parti politike do të dalë me kandidatët më të mirë, do ta prezantojë përsëri programin që do ta realizojë. Ky është parimi mbi të cilin punojmë dhe besoj se ky parim do të sjellë një fitore bindëse”, ka thënë Miteva.
Ajo iu referua edhe Marrëveshjes strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se kjo nënkupton forcimin e bashkëpunimit strategjik me vendet e zhvilluara perëndimore, siç është Mbretëria e Bashkuar dhe nga ana tjetër, do të sjellë përfitime ekonomike për vendin.
Miteva informoi se investime të mëdha pritet të arrijnë edhe në sektorët e hekurudhës së shpejtë dhe shëndetësësisë.
The post Miteva: Në dy javët e ardhshme do të bëhen të ditur emrat e kandidatëve të OBRM-PDUKM-së për kryetar komunash appeared first on Telegrafi.