
Maqedonia e Veriut kërkon që të hapet një konsullate në qytetin e Korçës, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski, gjatë një vizite në Pustec.
“Këtu në Pustec kemi komunitetin tonë maqedonas. Kam ardhur me ministrin e Brendshëm dhe pas pak do të na bashkohet edhe ministri i Kulturës. Komuniteti ka kontribuar në shoqërinë shqiptare, ndërsa ne si qeveri duhet të bëjmë më shumë për minoritetin maqedonas në Pustec. Duhet të financojmë projekte sociale dhe kulturore në këtë zonë. Nevojitet një nivel më i lartë konsullor – jo vetëm për pajisjen me pasaporta, por edhe për aspekte të tjera. Javën tjetër do të takohem me kolegun tim Igli Hasani në Ohër. Kemi një marrëdhënie fantastike me të. Gjithashtu, do t’i kërkoj ministrit shqiptar hapjen e një konsullate maqedonase në Korçë”, tha Mucunski, informon CNN A2, përcjellë Telegrafi Maqedoni.
Mucunski komentoi se pjesëmarrjen e kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti në samitin e liderëve në Shkup.
“Kryeministrat shqiptar dhe kosovar ishin të ftuar dje në një samit të suksesshëm për agjendën europiane. Mund të them se ishte një samit që shkoi mirë. Aktivitetet politike janë normale kudo. Unë jam një besimtar i demokracisë. Po, kemi zgjedhje pas pak kohësh, ku ne si koalicion qeveritar jemi plotësisht të bindur se do të fitojmë për shkak të punëve të bëra. Jemi një shoqëri multietnike”.
Mucunski hodhi poshtë pretendimet se Serbia po kërcënon sovranitetin e Maqedonisë së Veriut, bazuar në një raport të fundit të Parlamentit Europian.
“Dua të theksoj se politika jonë e jashtme bazohet në tri pika kryesore: E para janë SHBA-të, takova sekretarin Rubio, kemi një marrëdhënie fantastike. E dyta është anëtarësimi në Bashkimin Europian. E treta është anëtarësimi në NATO”, tha Mucunski.
The post Mucunski: Do të kërkojmë hapjen e një konsullate maqedonase në Korçë appeared first on Telegrafi.