
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot, përpara fillimit zyrtar të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, realizoi takim dypalësh me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Siç bëri të ditur MÇE, kjo është vizita e parë zyrtare e komisioneres Kos në këtë cilësi, ndërkaq takimi me ministrin Murtezani është konfirmim i angazhimit dhe mbështetjes së vazhdueshme të Komisionit Evropian për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
“Në kuadër të takimit u theksuan rezultatet që Maqedonia e Veriut ka arritur deri më tani në zbatimin e Planit të Rritjes, i cili është tema kryesore e Samitit, si dhe të Agjenda e Reformave 2024-2027. Eurokomisionerja Kos përshëndeti angazhimin dhe përpjekjet e për reforma të Qeverisë, veçanërisht në pjesën e reformave të zbatuara me sukses, ligjeve të sapo-miratuara dhe dinamikën e zbatimit të masave prioritare në më shumë sektorë kyçe siç janë: qeverisja, energjetika, tranzicioni i gjelbër, digjitalizimi, zhvillimi i kapitalit njerëzor, klima e biznesit dhe sundimi i së drejtës. Komisionerja e inkurajoi Qeverinë të vazhdojë me këtë dinamikë të reformave, njëkohësisht duke theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të momentit aktual për progres të mëtejshëm dhe kapërcimin e sfidave të mbetura”, bëhet e ditur në kumtesë.
Ministri Murtezani, në bisedimet e tij me komisioneren Kos, shprehu bindjen se kjo Qeveri mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj integrimit evropian si përparësi absolute strategjike, duke iu referuar finalizimit të Udhërrëfyesit për sundimin e së drejtës dhe Udhërrëfyesit për Reformat në administratën publike, të cilat janë pika referimi për hapjen e Klasterit të parë negociues “Vlerat Themelore”, dhe riafirmoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me KE-në në kontekstin e zbatimit të plotë të këtyre dokumenteve. Murtezani gjithashtu theksoi hapjen e vendit në mënyrë aktive të përfshihet në nismat e reja që do të shqyrtohen në Samit, mes të cilave është përmirësimi i mbrojtjes së konsumatorit, zhvillimi i cilësisë së turizmit dhe thellimi i integrimit ekonomik me Tregun e vetëm evropian.
Në takimin dypalësh, shtohet më tej, bashkërisht u konstatua se Samiti në Shkup mbahet në një periudhë kur Maqedonia e Veriut po konfirmon rolin e saj udhëheqës në rajon, si vendi i parë që përfundoi të gjitha procedurat ligjore për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve financiare nga Plani i Rritjes, duke mundësuar pagesën e parafinancimit nga mjetet e BE-së në shumën prej 52,4 milionë eurosh.
Bashkëbiseduesit iu referuan edhe aplikimit të fundit të Maqedonisë së Veriut në Kornizën e Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF) me katër projekte të reja në fushat e sigurisë kibernetike, digjitalizimit dhe përmirësimit të infrastrukturës arsimore, si dhe zbatimit të vazhdueshëm të ligjeve dhe masave nga Agjenda e Reformave.
“Ministri Murtezani dhe komisionerja Kos ranë dakord se periudha e ardhshme është vendimtare për procesin e aderimit, duke theksuar nevojën për vullnet të qartë politik, zbatim dinamik të angazhimeve reformuese dhe shfrytëzimi i të gjitha nismave të reja që do të dalin nga Samiti i Shkupit. njëkohësisht, u riafirmua angazhimi i Qeverisë për të mbetur partner konstruktiv dhe i besueshëm i BE-së, me fokus në rezultate konkrete në interes të qytetarëve dhe stabilitetit të gjithë rajonit”, qëndron në kumtesë
The post Murtezani–Kos: Qeveria mbetet e përcaktuar qartë për integrimin evropian appeared first on Telegrafi.