
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska potencoi se kompetencë për veprim me ndërtimet pa leje kanë inspektorët ndërtimorë komunalë dhe Inspektorati ndërtimor shtetëror.
“Inspektorë të tillë ka komuna e Çairit dhe të gjitha komunat e Shkupit si njësi të posaçme të vetadministrimit lokal në kuadër të Qytetit të Shkupit. Qyteti i Shkupit është njësi e vetme e vetadministrimit lokal, që nuk ka inspektor ndërtimor sipas Ligjit. Përveç Inspektoratit ndërtimor komunal të Çairit, kompetencë ka edhe Inspektorati shtetëror i ndërtimit, i cili është nën kompetencë të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Transportit dhe Komunikacionit. Kur bëhet fjalë për ndjekjen penale të kriminelëve të kapur duke kryer vepër penale, në këtë rast uzurpim të tokës shtetërore, ndërtim të paligjshëm dhe shkelje të sigurisë së përgjithshme, përgjegjësia i takon Ministrisë së Punëve të Brendshme. Jam mirënjohëse për mundësinë, z. Mickoski, për të vepruar në mënyrë edukative ndaj jush në këtë rast dhe ju apeloj, tani që i dini përgjegjësitë dhe autoritetet tuaja, të veproni menjëherë”, tha Arsovska në postim në Fejsbuk.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski tha sot para gazetarëve se kryetarja e Qytetit të Shkupit ka ingerenca dhe nëse mendon se është kështu, duhet të veprojë.
“Ajo ka autoritet dhe nëse vërtet mendon se është kështu, atëherë duhet të veprojë, sepse populli nuk përfiton nga filozofimi dhe retorika e zhveshur”, tha Mickoski.
Kryetari i Qytetit të Shkupit dje nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale informoi se në tokën shtetërore në komunën e Çairit po kryhen ndërtime të paligjshme dhe u bëri thirrje institucioneve kompetente të reagojnë.
The post Ndërtimet pa leje në Çair, Arsovska: Kompetencë për veprim kanë inspektorët komunalë dhe Inspektorati ndërtimor shtetëror appeared first on Telegrafi.