
Fluksi i shtuar në vendkalimet kufitare kyçe të vendit gjatë periudhës së pushimeve, ka bërë që autoritetet të zgjerojnë bashkëpunimet me fqinjët për modelin “One Stop Shop”. Këtë të premte pritet që në vendkalimin kufitar Tabanocë-Preshevë të fillojë me punë sistemi i integruar ndërkufitar i Maqedonisë së Veriut me Serbinë. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se nga 4 korriku në këtë do kontrollohen vetëm hyrjet e njerëzve dhe mallrave në shtet.
“Me Serbinë, zyrtarisht do ta vëmë në funksion në fund të kësaj jave, mendoj se të premten e kemi bërë ujdinë të kemi ceremoninë e hapjes dhe fillimin e funksionimit në këtë mënyrë të kontrollit të udhëtarëve në kufi. Jemi në fazën e bisedimeve intensive edhe me Republikën e Shqipërisë, ku flasim për dy vendkalimet kufitare, ku vlerësojmë se do të lehtësohet lëvizja e qytetarëve nëpër kufij me mënyrën e re të kontrollit të udhëtarëve të ashtuquajtur ‘One Stop Shop”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Deri më tani vendi ynë këtë sistem të integruar kufitar e ka bërë me Republikën e Kosovës në dy vendkalime kufitare në Bllacë dhe Jazhincë, por ende nuk e ka aktivizuar edhe në Bellanocë. Toshkovskii tha se këtë model pritet ta zbatojnë në të ardhmen edhe me Shqipërinë. Ndërsa me dy fqinjët tjerë, të cilët janë anëtare të BE-së, Bullgaria dhe Greqia që janë në zonën Shengen, tregoi se do të bëhet një riorganizim kufitar për shtimin e korsive nga pjesa jonë.
“Sa i përket Republikës së Greqisë, gjatë ditës së djeshme isha në vendkalimin kufitar të Bogorodicës ku ne konstatuam se ka kushte për përmirësimin e mbikëqyrjes kufitare që e kryejmë nga ana jonë. Përkatësisht, mund të vëmë në funksion së paku edhe dy korsi për dalje me riorganizim dhe mund të vëmë në funksion së paku edhe një korsi për hyrje në pjesën e ngarkesës së mauneve”, shtoi Pançe Toshkovski – ministër i Punëve të Brendshme.
Këto u thanë në takimin pas takimit dypalësh të ministrit Toshkovski me homologun e tij të Lituanisë, Vladislav Kondratoviç, që po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup, e ku të dy ministrat nënshkruan Marrëveshje të riatdhesimit dhe për bashkëpunim ndërshtetëror të policive./TV21/
The post Nga e premtja “One Stop Shop” në Tabanoc, Toshkovski: Do të ulet fluksi i pritjeve në kufi appeared first on Telegrafi.