
Ndërtim i spitalit klinik, fakultet të ri të mjekësisë dhe konvikt të ri studentor në Shtip, rinovimi i Spitalit klinik në Tetovë dhe ndërtimi i një Qendre të re shëndetësore me spital të përgjithshëm në Kërçovë, janë pjesë e pakos së parë të projekteve që do të zbatohen së bashku me hekurudhën e shpejtë, paralajmëroi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski.
Sipas tij, bëhet fjalë për pesë projekte të ndara që duhet ta përmirësojnë seriozisht kujdesin shëndetësor dhe arsimin në vend.
“Këto janë pilot projekte dhe nëse rezultojnë të mira, kalojmë drejt zbatimit të projekteve të tjera në sektorin shëndetësor, qoftë në Ohër apo Manastir, Kumanovë ose flasim për një qendër të re klinike në Shkup, këto janë projekte që do të vijnë pas kësaj, por unë po i kushtoj vëmendje serioze edhe energjetikës. Kryeministri paralajmëroi se po shqyrtojmë mundësinë që projekti Çebren dhe Galishte të shkojë në kuadër të financimit nga Mbretëria e Bashkuar”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski në emisionin “Shou i mbrëmjes me Bogdan Ilievskin”.
Ai theksoi se po punohet në projekte që kanë ngecur dhe që janë çuar përpara plotësisht gjatë vitit të kaluar.
“Ohri – Kërçova ka qenë projekt që praktikisht u anulua tërësisht, tani po shihet fundi aty, diga e Otinjës, pra liqeni artificial në Maqedoninë Lindore ishte diçka që shkonte me vështirësi, tani e kemi zgjidhur, Prilep-Gradsko tashmë e kemi vënë në përdorim fazën e parë, e dyta është drejt përfundimit, këtu janë korridoret 8 dhe 10d, pra autostradat Tetovë-Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Prilep-Manastir ku nuk kishte aktivitete, kështu që kemi një aktivitet serioz investimi. Këtu është edhe projekti për një tren urban në Shkup, projekti për furnizimin e 120 autobusëve elektrikë ekologjikë, 80 prej të cilëve do të jenë për Qytetin e Shkupit, 40 për komunat e tjera në vend. Për momentin kemi një rikonstruim dhe pajisje aktive të Spitalit të qytetit ‘8 Shtatori’ dhe një duzinë projektesh të tjera paralele dhe jam i kënaqur sepse ka rezultate”, ka thënë Nikolloski.
Ai paralajmëroi edhe një risi sa i përket trafikut ajror, ku vitin e kaluar janë hapur 11 destinacione të reja nga aeroportet në Shkup dhe Ohër, ndërsa vijon edhe rikonstruimi i aeroportit të Ohrit.
“Gjatë verës do të dalim me lajme që do të paraqesin bum për të gjithë ata që duan të udhëtojnë dhe për turistët që duan të vijnë në Maqedoni, gjë që do të rezultojë në një përmirësim serioz të lidhshmërisë së Maqedonisë”, shtoi Nikolloski.
The post Nikolloski paralajmëron disa projekte për ndërtimin e spitaleve dhe investimeve energjetike appeared first on Telegrafi.