Osmani: Mickoski e di që BDI-në nuk mund ta kontrollojë, qëllimi i tij është ta kthej vendin nga kursi pro-evropian në pro-serb

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kandidat për kryetar të Çairit, Bujar Osmani tha se strategjia e Hristijan Mickoskit për dobësimin dhe asimilimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve ka një qëllim të rrezikshëm.

Osman tha se kryeministrit i duhet kjo për të realizuar synimin e tij të fshehur, e ai është ndryshimi i kursit strategjik të vendit nga pro-evropian në pro-serb.

“Ndryshimi i strategjisë shtetërore tridhjetëvjeçare për integrim nuk do të ishte i mundur me një koalicion shqiptar të fortë e të qëndrueshëm, i udhëhequr nga BDI. Mickoski e di mirë se vetëm një partner shqiptar i shantazhuar dhe i dobët do të heshtë përballë këtij devijimi të rrezikshëm të shtetit, por edhe përballë margjinalizimit të kërkesave, prioriteteve dhe kauzës shqiptare. Pas një viti e tre muajsh qeverisje bëhet e qartë: sulmet ndaj BDI-së nga Mickoski nuk kanë qenë vetëm një strategji elektorale e përshtatshme për përçarje dhe mbledhje votash. Pas tyre fshihej qëllimi i vërtetë – dobësimi dhe copëtimi i përfaqësimit politik shqiptar, me synim realizimin e politikave pro-serbe në vend dhe braktisjen e perspektivës evropiane. Sot është e qartë se sulmet ndaj BDI-së nuk kishin për qëllim kinse luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Ato sulme dhe etiketime kanë shërbyer si mburojë për vendimin që në qeveri të merrej një partner më i dobët, që mund të kontrollohej. Një alibi i zakonshëm për të zvogëluar ndikimin e shqiptarëve nën petkun e luftës kundër korrupsionit”, reagon Osmani.

Osmani tha se Mickoski e di mirë se BDI nuk është parti që mund të kontrollohet, as parti që do të heshtë përballë braktisjes së ëndrrës dekadëshe të shqiptarëve për integrim.

Advertisement

“Pikërisht për këtë, Mickoski, që para zgjedhjeve, nisi një fushatë të orkestruar për satanizimin e BDI-së. Dhe pikërisht për këtë, pavarësisht fitores së qartë zgjedhore të BDI-së, u zgjodh koalicioni i humbur VLEN. Dhe çfarë përfituam si rezultat i kësaj? Shqiptarët në qeveri jo vetëm që nuk kanë zë, por nuk kanë asnjë shenjë dinjiteti. Jemi dëshmitarë të largimit sistematik të perspektivës evropiane nga agjenda kombëtare, dëshmitarë të përpjekjeve për të rishikuar Marrëveshjen e Ohrit, për të relativizuar shumicën e Badenterit, për të vënë në pikëpyetje barazinë e shqiptarëve. E gjitha kjo me miratimin, ose më saktë, me heshtjen e VLEN-it. Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë dhe kurrë nuk do të jenë instrument. Politika e vërtetë shqiptare nuk është matur asnjëherë me funksione, por me parime. Shqiptarët gjithmonë kanë qenë korrektues të të gjitha proceseve të shkatërrimit të demokracisë, të devijimit nga rruga e drejtë dhe nga orientimi strategjik i shtetit. Prandaj sot thirrja është e qartë: Të kthehemi tek ajo që na bëri politikisht të fortë. Të bashkohemi rreth së ardhmes dhe perspektivave të shtetit. Të kthehemi tek rrënjët e veprimit tonë politik, tek vlerat e shqiptarëve dhe tek vetë thelbi i organizimit politik shqiptar. Përçarjet tani nuk na duhen, sepse ka ardhur ora e zgjimit. Ka ardhur koha të zgjohemi nga ky makth, të vetëdijësohemi se çfarë po ndodh realisht me politikën dhe ku po shkon vërtet shteti. Të kthehemi tek politika që mbron të ardhmen, tek politika e dinjitetit, politika që e sheh interesin shtetëror përmes prizmit të barazisë. Në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët do të zgjedhin: a duan të jenë dëshmitarë të heshtur të margjinalizimit të tyre, apo forcë që e shtyn shtetin përpara dhe garanton të ardhmen e tyre. Kjo nuk është një betejë partiake. Kjo është një betejë për dinjitetin, për barazinë politike, për kthimin e shtetit në rrugën e drejtë. Dhe këtë betejë do ta fitojmë. Sepse e vërteta është në anën tonë, sepse populli është i zgjuar dhe sepse shqiptarët kurrë nuk kanë pranuar të jenë në gjunjë”, reagoi Osmani.

The post Osmani: Mickoski e di që BDI-në nuk mund ta kontrollojë, qëllimi i tij është ta kthej vendin nga kursi pro-evropian në pro-serb appeared first on Telegrafi.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy