
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në Bruksel foli para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian (AFET), në agjendë të të cilit ishte dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut. Në takimin e sotëm, Osmani elaboroi para anëtarëve të Komisionit për aktualitetet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sfidat rajonale, dialogun me Republikën e Bullgarisë dhe përpjekjet për të arritur zgjidhje të përbashkët të pranueshme, por gjithsesi edhe për zhvillimet në Ukrainë dhe kontekstin më të gjerë të marrëdhënieve që i shkaktojnë ato ngjarje.
“Siç ka treguar historia e integrimit evropian, që Bashkimi Evropian ta forcojë më tej rolin e tij strategjik global, ai duhet ta merr sërish lidershipin e tij strategjik në politikën e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor. Agresioni rus tregon në mënyrën më tragjike se sa i rëndësishëm është zgjerimi i BE-së dhe integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor për sigurinë, unitetin dhe transformimin demokratik të kontinentit. Ne nuk kërkojmë çmime të pamerituara, por dëshirojmë që tregimi ynë i suksesit të valorizohet, veçanërisht në një kohë kur rajonit dhe më gjerë u nevojiten shembuj të tillë”, theksoi Osmani në fjalimin e tij para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të PE-së.
Gjatë diskutimit, eurodeputetët shprehën mbështetjen e tyre për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut; potencuan se vendi u tregua anëtar i përgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare duke iu bashkëngjitur dënimit të agresionit ushtarak ndaj Ukrainës; thanë se Ballkani Perëndimor mbetet në maje të prioriteteve strategjike të BE-së dhe se Parlamenti Evropian, përmes mekanizmave të tij, do të përpiqet ta theksojë këtë nevojë.
Osmani në PE kishte edhe takime të ndara me eurodeputetët; Ilhan Kucuk, Raportues i Parlamentit Evropian për vendin; Michael Galler, Koordinator i PPE-së në Komisionin për Punë të Jashtme (AFET); Tonino Picula, Koordinator i Socialistëve në AFET, si dhe David McAllister, Kryetar i AFET dhe Anëtar i PPE. Gjithashtu, vizita në Parlamentin Evropian ishte një mundësi e shkëlqyer për Osmanin që të ketë takim me “Miqtë e Maqedonisë së Veriut” në Parlamentin Evropian, grup i cili përbëhet nga mbështetësit tanë në PE, nga grupe të ndryshme parlamentare në PE.
The post Osmani në AFET në PE: Rajonit i nevojitet valorizim i tregimit të suksesshëm të Maqedonisë së Veriut appeared first on Telegrafi.