
Kandidati për kryetar i Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të vendit, Hristijan Mickoskit se BDI po tenton të shkaktojë kaos në zgjedhjet lokale.
Ai tha se askush nuk i merr seriozisht deklaratat e Mickoskit, sepse vazhdimisht po trillon deklarata kundër BDI-së.
“E njihni tregimin për ujkun: herën e parë bërtet, herën e dytë, të tretën, por pastaj askush më nuk të beson. Mickoski një vit të tërë herë thoshte se në Çair ka banesa me grupe të armatosura, pastaj fliste për destabilizim. Pastaj: ‘BDI do të bëjë këtë, BDI do të bëjë atë’. Dhe e shihni që njerëzit tashmë nuk e dëgjojnë më. Nuk i besojnë. Sepse mund të trillosh një herë, dy herë, tre herë, por pastaj askush nuk të merr më seriozisht. Propozimi im për Mickoskin është të ndalojë me këtë narrativë, sepse duket keq. Megjithatë, ai është kryeministri i shtetit tim dhe ka rëndësi nëse kryeministri del me deklarata që e bëjnë të duket i paserioz para qytetarëve. Çdo ditë trokas në dyert e Çairit, flas me shumë maqedonas që vetë më thonë se ajo që po bën Mickosi, përpjekjet për të poshtëruar shqiptarët dhe për të krijuar ndarje mes maqedonasve dhe shqiptarëve i shqetëson më shumë pikërisht maqedonasit në Çair, sepse ata janë pakicë këtu. Kur ata dëgjojnë se si kryeministri çdo ditë i fyen bashkëqytetarët e tyre shqiptarë, kur u thotë se ‘do t’i tërheqë për veshësh’ ose se ‘nuk e duan shtetin’, ata këtë e përjetojnë si fyerje”, tha Osmani.
Osmani tha se partia maqedonase në pushtet ka rënie në vota, ndaj po ndërtojnë fushatë anti-shqiptare dhe kundër BDI-së.
“Më i rëndësishmi është bashkëjetesa në Çair. Mos përzieni parulla nacionaliste, sepse bashkëjetesa është themeli. Dhe pikërisht për këtë sondazhet u tregojnë rënie prej rreth 150 mijë votash OBRM-PDUKM-së. Për këtë arsye, tani po përpiqen ta ndërtojnë fushatën e tyre mbi kurriz të BDI-së dhe mbi njëfarë albanofobie, për të cilën mendojnë se ekziston te përkrahësit e tyre. Por besoni, edhe për përkrahësit e tyre më i rëndësishëm është bashkëjetesa dhe respekti ndaj bashkëqytetarëve shqiptarë. Shumë prej tyre zemërohen me kryeministrin që vazhdimisht përpiqet t’i fyejë shqiptarët për të fituar një pikë politike më shumë”, tha Osmani.
The post Osmani: OBRM-PDUKM ka rënie në sondazhe, kjo është arsyeja pse Mickoski po ndërton fushatë albanofobike dhe kundër BDI-së appeared first on Telegrafi.