Nëse viti i kaluar u mbyll me 984 zjarre në rajonin e Pollogut, këtë vit për gati tetë muaj janë regjistruar 673 zjarre. Pjesa më e madhe e këtyre zjarreve janë regjistruar në hapësirë, pyje, tokë bujqësore por nuk mungojnë edhe zjarret nëpër objekte banimi. Kështu njoftojnë nga Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë.
“Deri më tani kemi 673 intervenime, ku dihet se disa prej këtyre intervenimeve i kemi pasur me ditë të tëra në fshatin Cerovë dhe Jazhincë. Këto zjarre ishin në përmasa më të mëdha, kemi pasur intervenime në ambiente të hapura, ku brenda një muaji kemi pasur 240 intervenime”, deklaroi Avni Ameti, komandant i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë.
Numër kaq të madh të zjarreve brenda një muaji pothuajse nuk ka pasur asnjëherë në rajonin e Pollogut. Bëhet fjalë për periudhën nga një korrik deri më një gusht, pa llogaritur zjarret në Komunën e Jegunocit që ndodhën kah mesi i muajit gusht. Nga Njësia e zjarrfikësve thonë se arsye kryesore që ka kaq shumë zjarre është thatësia e madhe kohëve të fundit, por edhe zjarrëvënia e qëllimshme.
“Është viti i parë, ku diku afër 17 vitesh që jam në punë dhe është hera e parë që kemi kaq numër të madh të zjarreve. Dihet që Maqedoninë e Veriut e ka kapluar një thatësi e madhe viteve të fundit. Gjithashtu ka edhe zjarre të qëllimshme, ku qytetarë të pandërgjegjshëm shkaktojnë zjarre dhe bëhet një katastrofë e madhe sepse nuk mundemi pastaj ta vëmë në kontroll zjarrin”, thotë komandanti Ameti.
Problem në vete është se dy tre zjarret që ndodhën dy muajt e fundit janë të përmasave të mëdha dhe në terrene të papërshtatshme për të intervenuar. Sidomos, më keq situata ka qenë fshatrat që ndodhen në Malin e Thatë dhe në rajonin e Jazhincës.
“Dihet se këto zjarre janë në lartësi më të mëdha, respektivisht në pyje ku ne bashkërisht me Drejtorinë për Menaxhim me Kriza kemi qenë në kontakt vazhdimisht dhe kemi intervenuar. Është intervenuar edhe me helikopter dhe me aeroplan. Po ashtu është e mirëseardhur edhe masa e qeverisë për punësimin e zjarrfikësve, ku në Tetovë janë punësuar 54 persona me kontratë në vepër, të cilët do të jenë të angazhuar gjatë momenteve kritike”, deklaroi komandanti i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë, Avni Ameti.
Në ndërkohë, edhe njëherë ka dalë në pah problemi me mos disperzimin e njësisë kundër zjarrit nëpër komunale tjera. Ekipeve të zjarrfikësve të Tetovës ju duhet rreth 30 kilometra të arrijnë në Jazhincë për të intervenuar.
Ndërsa, disperzimi i kësaj njësie në Komunën e Jegunocit do të mundësonte që intervenimi të jetë më i shpejtë dhe do të parandalonte përhapjen e zjarrit në përmasa më të mëdha. Nga Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë kërkojnë nga autoritetet e komunave rurale që të bashkëpunojnë ngushtë me këtë njësit që të fillojë disperzimi i zjarrfikësve.
The post Për një muaj në Pollog ka pasur 240 zjarre appeared first on Telegrafi.