
Gjatë tre ditëve të fundit të kësaj jave (14, 15 dhe 16 korrik 2025) oficerët e policisë nga të gjitha departamentet e punëve të brendshme, si pjesë e kontrolleve të intensifikuara të trafikut në rrugët në të gjithë vendin, regjistruan gjithsej 2490 urdhërpagesa bazuar në shkelje të ndryshme të Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor.
Siç njoftojnë nga MPB janë lëshuar 513 kundërvajtje për tejkalim shpejtësie, 657 për parkim të paligjshëm, ndërsa 251 përdorues të rrugës u përjashtuan nga trafiku për shkak të mungesës së patentës së shoferit.
“Gjithashtu, 89 përdoruesve të rrugës u lëshuan kundërvajtje për mospërdorim të rripit të sigurimit, 103 persona u sanksionuan për përdorim të telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit dhe 153 persona të tjerë për shkak të mosmbajtjes së helmetës mbrojtëse. Përveç kësaj, u regjistruan nëntë raste të kalimit në semafor të kuq, dhe u lëshuan 185 urdhërpagesa kundërvajtëse për këmbësorët, ndërsa 26 shoferë u përjashtuan nga trafiku për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit”.
“Në përputhje me Ligjin për Automjetet, në tre ditët e treguara të kësaj jave, janë lëshuar 12 kundërvajtje në bazë të automjeteve me defekte teknike dhe 56 në bazë të automjeteve që nuk ishin të regjistruara”.
“Kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. U bëjmë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe të kontribuojnë së bashku për rrugë më të sigurta”, thonë nga MPB.
The post Për tre ditë mbi 2400 gjoba për shkelje të rregullave në trafik appeared first on Telegrafi.