
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot zhvilloi takim pune me përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Siç informojnë nga kabineti i tij, mbledhjen e organizoi Kryetari i Kuvendit në përputhje me nenin 132-a të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit duhet të mbahen zgjedhje të përsëritura për kryetarë të komunave Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostush dhe Qendër Zhupë, pasi në këto komuna nuk është përmbushur kushti i nenit 132 paragrafi (2) i Kodit Zgjedhor – që në votime të dalë një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën e Zgjedhësve.
“Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe u vlerësua si një qasje pozitive e institucioneve kur bëhet fjalë për çështje me interes kombëtar, në këtë rast konkret të Kuvendit dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Përsëritja e procedurës zgjedhore në katër komunat e përmendura do të jetë më e sigurt pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të vendosë për ankesat e paraqitura, të cilat mund të ndikojnë në shpalljen e përfundimit të rezultateve të Zgjedhjeve Lokale të vitit 2025”.
“Në fund, të pranishmit shprehën mirënjohje të ndërsjellë për takimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë për çështje me rëndësi për të dy institucionet si dhe për shtetin në tërësi”, thuhet në njoftim./Telegrafi/