
“Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një reagimi drejtuar mediave, ka shprehur shqetësimin dhe njëkohësisht hedh poshtë në mënyrë kategorike shpifjet dhe lajmet tendencioze, të cilat po përhapen në disa qarqe afër pushtetit, që kanë për qëllim njollosjen dhe diskreditimin personal të funksionarëve dhe aktivistëve tanë politikë në Shuto Orizarë, përfshirë gjoja përfshirjen në incidente të rënda si zjarrvëniet në hapësirat përreth Shkupit dhe Vizbegut”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
“Këto përpjekje të qëllimshme për manipulim publik paraqesin një sulm të drejtpërdrejtë ndaj zërit opozitar dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve. Në prag të zgjedhjeve lokale, është e qartë se kemi të bëjmë me një Strategji të mirëmenduar për të frikësuar, shantazhuar dhe dobësuar strukturat organizative të BDI-së, në vend që të ballafaqohen me qytetarët përmes alternativës politike dhe debatit të ndershëm demokratik”, thonë nga BDI.
BDI ka ftuar institucionet përgjegjëse të sqarojnë në mënyrë transparente arsyet, bazën ligjore dhe qëllimin e kontrollit policor të ndërmarrë ndaj shtëpisë së z. Iljas Leskovica, si dhe të sqarojnë se kush nga qarqet e inkriminuara qëndron pas vendimeve të tilla selektive që synojnë të ushtrojnë presion mbi përfaqësues politikë legjitimë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim rikujton se kapja e drejtësisë dhe instrumentalizimi i institucioneve nuk janë sfida ndaj një partie politike, por rrezik serioz për rendin demokratik dhe për të ardhmen evropiane të vendit. Fatkeqësisht, nuk është hera e parë që strukturat shtetërore keqpërdoren për qëllime politike. Raste të mëparshme, përfshirë edhe rastin e Koçanit, dëshmojnë qartë se fajtorët e vërtetë nuk përballen me drejtësinë, ndërsa të tjerët përdoren si viktima të kalkulimeve politike. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i palëkundur në përkushtimin e tij për sundimin e ligjit, për drejtësi të pavarur dhe për përfaqësim të denjë të qytetarëve shqiptarë në të gjitha nivelet. Asnjë presion, asnjë tentativë për frikësim nuk do ta ndalë vullnetin tonë për të mbrojtur të drejtën legjitime për pjesëmarrje dhe përfaqësim politik”, thonë nga BDI.
The post Policia kreu kontroll tek shtëpia e njërit prej funksionarëve të partisë, BDI: Të tregohet baza ligjore e këtij veprimi, ka drejtësi selektive appeared first on Telegrafi.