
Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
Lidhja Auto Moto e Maqedonisë (LAMM) rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Nga 1 korriku deri më 31 gusht, në rrugët shtetërore në Maqedoni po vendoset një regjim i përkohshëm veror i trafikut, i cili ndalon lëvizjen e automjeteve të rënda transportuese me një masë totale mbi 15 ton, gjatë fundjavës dhe në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta. Terminet janë si më poshtë:
– e premte nga ora 17:00 deri në 22:00,
– e shtunë nga ora 09:00 deri në 18:00 dhe
– e diel nga ora 09:00 deri në 22:00.
Në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndalesa do të zbatohet edhe nga e hëna deri të enjten nga ora 11:00 deri në 17:00.
Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë, lule, ndihmë humanitare, kultura drithërash dhe mallra që prishen, naftë dhe derivate të naftës, transport të materialeve të rrezikshme dhe automjete që kryejnë transport për kompani që kanë lidhur kontrata për zbatimin e projekteve në rrugët shtetërore me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore.
Në rrugën magjistrale A2: aksi rrugor Shkup – Ohër – Shkup (e vlefshme deri më 1 shtator),lëvizja e automjeteve të rënda transportuese, masa totale e të cilave tejkalon 7.5 ton, ndalohet gjatë fundjavave, në intervalet e mëposhtme:
– e premte nga ora 15:00 – 22:00,
– e shtunë nga ora 07:00 deri në 12:00 dhe nga ora 18:00 deri në 24:00
– e diel nga ora 07:00 deri në 22:00.
Ky regjim i veçantë trafiku vendoset gjatë verës me qëllim që të shmanget mbingarkesa e trafikut në aksin rrugor që të çon në destinacionin turistik më të vizituar në Republikën e Maqedonisë, të zvogëlohet mbingarkesa në pikat e pagesës dhe në përgjithësi të sigurohet rrjedhë më e shpejtë e automjeteve dhe lëvizje e papenguar e turistëve.
Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihmë humanitare, drithëra dhe të lashta, si dhe mallra që prishen lehtë.
The post Prej sot regjim i posaçëm për automjetet e rënda transportuese në rrugët shtetërore appeared first on Telegrafi.