Prokuroria ka përfunduar hetimin e parë për tragjedinë e Koçanit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Prokuroria e ka përfunduar hetimin për tragjedinë në klubin e natës “Puls” në Koçan, në të cilin humbën jetën 62 persona mes të cilëve 6 të mitur, ndërsa rreth 200 të tjerë u lënduan. Kryeprokurori Lupço Kocevski ka njoftuar se nuk dihet se sa do të jetë numri i të akuzuarve, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që për disa të ndërpritet hetimi.

Në 15 ditët e ardhshme, mbrojtja e të dyshuarve mund të dorëzojë prova të cilat do të analizohen dhe vlerësohen nga Prokuroria, ndërsa pas kalimit të këtij afati do të ngritët akuzë. Harku kohor i hetimit, përfshin periudhën prej vitit 2012 kur është hapur diskoteka e deri në mëngjesi ne kobshëm të 16 marsit të këtij viti.

Në këtë hetim, deri më tani janë të përfshirë 45 persona fizik dhe 3 juridik, mes të cilëve pronari joformal i diskotekës Dejan Jovanovski, pjesëtarët e stafit të sigurimit të objektit, dy anëtarë të grupit muzikor “DNK”, të cilët mbrëmjen tragjike kanë performuar.

Më tej, tre ish kryetarë të Komunës së Koçanit, duke përfshirë edhe kryetarin në kohën kur ndodhi tragjedia Lupço Papazov, katër ish ministra të Ekonomisë, konkretisht Kreshnik Bekteshi, Driton Kuçi, Bekim Neziri dhe Valon Saraçini. Gjithashtu, drejtorët që kanë shërbyer në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, duke filluar nga Shaban Saliu, Adnan Xhaferovski, Bekim Maksuti dhe Xhevat Selami. Në mesin e të dyshuarve janë edhe ish drejtorët e Inspektoratit të Tregut Goran Trajkovski dhe Viktor Demerxhiev.

Advertisement

Në ndërkohë, do të vazhdojë hetimi tjetër, i cili po zhvillohet në kuadër të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku 14 zyrtarë policorë nga Shtipi e Koçani, dyshohet se kanë dhënë pëlqime se kabareja e shkrumbuar “Pulse” i ka plotësuar kushtet ligjore për punë në pjesën e mbrojtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe të komunikacionit, edhe pse realisht nuk i ka plotësuar. Veprimi i tyre i ka mundësuar kabaresë që të marrë dritë jeshile për punë.

Pra, gjithsej deri më tani nën hetim për tragjedinë e Koçanit janë 59 persona fizikë dhe 3 juridikë. Shumica e të dyshuarve, po ndiqen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” sipas nenit 292 nga Kodi Penal, për çka parashihet dënim me burg prej së paku 3 vite, pa kufizim të lartësisë që nënkupton maksimalisht në 20 vite.

Prokuroria, gjithashtu një pjesë të dyshuarve po i ndjekë edhe për veprën penale 357 apo për ryshfet, me të cilën parashikohet dënim me burg deri në 10 vjet. Veç kësaj, një pjesë të të dyshuarve ndiqen edhe për nenin 396 të Kodit Penal, respektivisht për çështjen e fishekzjarrëve që kanë shkaktuar djegien e klubit të natës. Sipas dispozitave të këtij neni, dënimet për këtë vepër parashihen deri në 10 vjet burg./Alsat/

The post Prokuroria ka përfunduar hetimin e parë për tragjedinë e Koçanit appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy