Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkon nga Gjykata Penale që të shqiptohet masa e paraburgimit ndaj një 43-vjeçari, pasi i njëjti dyshohet për grabitje në Shkup.
“Veprën e ka kryer së bashku me një person tjetër, i cili po kërkohet. Më 15 nëntor, pranë një qendre tregtare në Shkup, të dy e kanë ndjekur një të dëmtuar. Në një moment, i dyshuari e ka goditur të dëmtuarin me grusht në kokë, ndërsa sulmuesi tjetër i është kërcënuar me boks të metalit.
Duke i kontrolluar xhupin, i kanë gjetur dhe i kanë marrë 8.800 denarë. E kanë shtyrë në tokë, e kanë goditur me shqelma dhe janë përpjekur t’i thyejnë telefonin celular, pas çka kanë ikur”, thonë nga Prokuroria.
Prokurori publik deri tek gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Shkup ka parashtruar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për 43-vjeçarin./Telegrafi/
