Edhe pse i plotësonin kriteret e kërkuara, dhjetëra nxënës që nuk mundën të regjistroheshin në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Gostivar, bashkë me prindërit e tyre kanë protestuar sot para dyerve të shkollës, duke bojkotuar madje edhe testimin për ranglistë që ua caktoi Ministria e Arsimit tre ditë më parë. Prindërit e këtyre nxënësve kërkojnë nga ministria që të hapë edhe një paralele. Në të kundërtën do të vazhdojnë me protestat para dyerve të shkollës.
“Ne si prind kërkojmë që testi kualifikues për nxënësit me numër të njëjtë pikësh të anulohet sepse ka mënyra alternative për këto nxënës. Le të bëhet rritja e numrit të paraleleve të kësaj shkolle, ose pranimi i gjithë nxënësve me pikë maksimale, nëse kapaciteti i shollës e lejon këtë. Me këtë shkresë kërkojmë heqjen e testit të planifikuar dhe shqyrtimin e një mënyrë tjetër për të shmangur stresin shtesë dhe pakënaqësinë apo ankesat e mundshme nga prindërit dhe kandidatët”, tha Bejlul Mustafa, përfaqësues i prindërve.
Nga shkolla e mesme e mjekësisë thonë se janë të njoftuar për rastin, por shkolla e ka patjetër të ndjek procedurën ligjore të paracaktuar nga Ministria e Arsimit.
“Ne si shkollë jemi të obliguar të zbatojmë anën formale që na kërkon ligji dhe Ministria e Arsimit, por mendojmë se edhe mundë të bëjmë ndonjë kompromis të hapet edhe ndonjë paralele e re që nuk na paraqet probleme financiare sepse e kemi pasur një herë para katër ose pesë vjetësh pra një gjeneratë ka ikur me pesë paralele në gjuhën shqipe. Dhe varianti i dytë që këta dyzet vetë që do ngelin që do konkurrojnë në laborant apo teknik dhëmbësh dhe pastaj të ngelen vetëm 14 të tjerë që do duhet të përfshihen”, deklaroi Shpend Bajrami, pedagog i Shkollës së Mesme të Mjekësisë Gostivar.
Në takim për të tentuar të gjejnë zgjidhje sot erdhën edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, por nuk pati kompromis. Prindërit do të presin përgjigjen brenda javës, ndërsa nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, do të vazhdojnë protestën bashkë me nxënësit.
The post Protesta para Shkollës së Mjekësisë në Gostivar, kundërshtohet vendimi i MASH-it appeared first on Telegrafi.