
Punonjësit e ndërmarrjeve “Florakom” dhe “Luna”, që janë nën ombrellën e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim – Shkup”, kanë protestuar sot pasi që nuk kanë marrë pagën për shtatorin, ndërsa nuk u janë paguar as shpërblimet jubilare, regresi për pushim vjetor, shpërblimi para pensionimit dhe shtesa e fundvitit.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës Shtetërore, Goran Risteski, tha se do të vazhdojnë çdo ditë prostesta deri atëherë kur do të marrin pagën.
“Nga e hëna do të fillojmë edhe forma të tjera të protestës ose grevës. Për këtë do të vendosë bordi grevist. Nga nesër fillojmë dy orë, nga 9 deri në 11, duke bllokuar vetëm një rrugë që Qyteti i Shkupit dhe qytetarët të mund të funksionojnë. Edhe ne jemi qytetarë dhe nuk duam të jemi barrë shtesë për qytetarët e Shkupit, prandaj bllokojmë vetëm një kryqëzim dhe për një kohë të kufizuar”, tha Goran Risteski.
Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ndërmarrjes “Parqe dhe Gjelbërim”, Atanas Georgievski, tha se është turp nga organet kompetente që t’i lënë të punësuarit pa rrogë.
“Jemi lodhur duke kërkuar rrogën, tani më muaji nëntor, ndërsa ne duhet të marrim rrogën e shtatorit. Me të vërtet na ka dalë mbi kokë, që të kërkojmë rrogën. Ka njerëz që duhet të paguajnë fatura, të paguajnë qera, duhet ti shkollojnë fëmijët. Turp është, secili që e ka kryer punën, duhet ti paguhet”, tha Atanas Georgievski.
Mujafet Ameti, i punësuar në këtë ndërmarrje, në vend që jetë ne vendin e tij të punës, ai është detyruar të dalë të protestojë.
“Është me të vërtet e rëndë, por ndonjëri ja del disi, por ata që janë me fëmijë s’po ja dalin dot edhe pse është vështirë për dikë se ndonjëri ka fëmijë të sëmurë. Në qofëtse deri ditën e premte nuk ka rrogë, atëherë duhet të vazhdojmë të paguajmë privat në mjek, përndryshe kjo është një katastrofë shumë e madhe”, tha Mujafet Ameti.
Punonjësit e Ndërmarrjes Publike thonë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, ndërsa paralajmërojnë edhe forma më të ashpra të reagimit./Shenja/
 
