Në Maqedoninë e Veriut nuk ka rusofobi dhe reagimet e shumë qytetarëve ndaj agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës janë të motivuara nga veprimet ushtarake të ndërmarra nga Rusia dhe dëshira e qytetarëve për paqe dhe prosperitet, thonë për “Lokalno” nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut lidhur me njoftimin e ambasadës ruse në Maqedoni e cila njoftoi se me kujdes i evidenton rastet e rusofobisë në një sërë vendesh të huaja.
“Në Maqedoninë e Veriut ka një numër të madh të qytetarëve që nuk i miratojnë procedurat që cenojnë rëndë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk shprehin urrejtje ndaj popullit rus. Deklarata e Ambasadës së Federatës ruse, në të cilën thonë se regjistrojnë të gjitha manifestimet e rusofobisë nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut, në kushtet aktuale duket si kërcënim dhe nuk është gjuha diplomatike që duhet përdorur në vendin tonë si vend-pritës”, thonë nga Qeveria.
Nga atje shtojnë se Rusia ka vendosur të klasifikojë të gjitha vendet që kundërshtojnë agresionin ushtarak si armiqësore.
“Si një anëtare e NATO-s, jemi hapur kundër agresionit ushtarak dhe bashkohemi me partnerët e SHBA-së dhe BE-së në masat për të de-përshkallëzuar konfliktin dhe për t’i dhënë fund armiqësive. Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj aktiviteteve që promovojnë paqen, stabilitetin, zhvillimin demokratik dhe prosperitetin ekonomik”, shtojnë nga Qeveria.
Sot Maqedonia e Veriut është në listën e 48 vendeve dhe territoreve të përcaktuara nga Rusia si armiqësore. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në momentin e publikimit të listës nga Ministria e Punëve të Jashtme ruse ka bërë të ditur se vendi ynë nuk ka marrë njoftim zyrtar për këtë./Telegrafi/
The post Qeveria e RMV-së: Deklarata e ambasadës ruse se do të regjistrojë të gjithë manifestimet e rusofobisë duket si kërcënim appeared first on Telegrafi.