Vazhdoi gjykimi për rastin “Onkologjia 2”, që zhvillohet kundër ish-drejtorëve të Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe përvetësim gjatë periudhës 2018–2022. Në këtë seancë, u dëgjuan tre dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria.

Dëshmitarja e parë, punonjëse e sportelit në Klinikë shpjegoi mënyrën e pranimit të pacientëve dhe procedurat për terapinë ditore. “Nëse pacienti duhej të merrte terapi ditore, ne lëshonim udhëzim dhe bënim llogarinë financiare.”, deklaroi ajo duke shtuar se për terapitë e kushtëzuara firmoste personalisht drejtori Nino Vasev, ndërsa tani duhet të kalojnë në mendim konziliar.

“U vërtetua ajo që ka rëndësi për ju, se vulat e të gjithë mjekëve ruhen tek shërbimet e sportelit, në një vend, i cili i vërteton vendimet e gjithë dokumentacionit mjekësor, pasi që pacientët të jenë kontrolluar te mjekët.”, – deklaroi avokati mbrojtës i Nino Vasevit, Bobi Spirkovski.

Dëshmitari i dytë, anëtar i jashtëm i Bordit Drejtues të Klinikës, theksoi se vendimet për furnizimin me barna janë marrë me kërkesë të drejtorit dhe me pëlqimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Dëshmitarja e tretë, udhëheqëse e Farmacisë Klinike që nga viti 2012, konfirmoi se pranimet e barnave bëheshin vetëm me kërkesa të nënshkruara nga drejtori, por shtoi se ndonjëherë furnizimet realizoheshin para përfundimit të tenderëve publikë.
Në fillim të seancës, gjykata njoftoi se ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurores dhe ekspertes ekonomike, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për këtë.

Të akuzuarit Vasev dhe Nuhi e mohojnë fajësinë, ndërsa mbrojtja pretendon se procesi është politikisht i motivuar dhe se aktakuza bazohet në ekspertiza të kontestuara. Procesi për “Onkologjia 2” do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë dhe me shqyrtimin e provave financiare në seancat e ardhshme. /rtvm2