
Zëvendësministri i Ekonomisë, Marjan Risteski tha se masa “shporta shkollore”, e cila zgjati nga 15 gushti deri më 15 shtator, ka përfunduar.
Ai sqaroi se kursimet për një familje me dy nxënës arrijnë në rreth 3,000 denarë.
Risteski tha se të dhënat përfundimtare do t’i dorëzohen Qeverisë të premten, teksa e vlerëoi masën si një mundësi të shkëlqyer për prindërit dhe nxënësit për shkak të fillimit të vitit të ri shkollor.
“Ata kishin mundësi të shkëlqyer në të gjitha pikat ku blihen materiale shkollore për t’i blerë ato me çmime më të lira, gjë që ishte parashikuar me vendimin dhe masën. Duhet t’i përgëzoj, disa librari kishin edhe promovime me zbritje më të mëdha se sa ishte parashikuar”, tha Risteski.
Inspektorati i tregut kreu rreth 150 kontrolle në më shumë se 400 objekte që shesin materiale shkollore, duke përfshirë librari, markete dhe dyqane të tjera.
“Edhe pse u vunë re lëshime të vogla, në përgjithësi masa u respektua nga tregtarët. Pati paralajmërime të vogla, por masa u respektua deri në fund. Sipas gjetjeve fillestare, kursimet për nxënës variojnë nga 750 deri në 2,000 denarë. Një familje mesatare me dy nxënës do të ketë kursyer rreth 3,000 denarë gjatë kësaj periudhe”, shtoi Risteski.
Kujtojmë se për shkak të kësaj mase qeveritare, shitësit me shumicë ulën çmimet e furnizimeve shkollore me të paktën 10 përqind, ndërsa në pakicë me të paktën 15 përqind.