
Ambasadori i Bashkimit Evropian Mihalis Rokas sot nuk deshi të komentojë nëse konsideron se raporti i raportuesit të Parlamentit Evropian, Tomas Vajç, për Maqedoninë do të miratohet nga Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) votimi i të cilit u ricaktua për 24 qershor, duke theksuar se PE është një institucion i pavarur që funksionon sipas rregullave të veta.
“Parlamenti Evropian është një institucion i pavarur i BE-së, i cili ka Rregulloren e vet të Punës, rregullat dhe procedurat e veta, çdo debat i organizuar nga PE i nënshtrohet atyre rregullave të Rregullores së Punës. Nuk do të mund të jepja asnjë koment, as ndonjë parashikim”, u përgjigj shkurt Rokas gjatë vizitës në Kriva Pallankë, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me pritjet e tij për raportin.
Me propozim të raportuesit Vajc, AFET më 4 qershor shtyu votimin për miratimin e Propozim Raportit për vendin deri më 24 qershor, me arsyetimin se ishte dëshmitar i debateve intensive politike rreth raportit, por se absolutisht qëndron pas dokumentit, në përgatitjen e të cilit, gjatë negociatave dhe kompromiseve, siç tha, “kanë marrë pjesë të gjitha grupet parlamentare të Parlamentit Evropian”.
“Ky është një raport i Parlamentit Evropian dhe i Bashkimit Evropian. Ky raport nuk ka qëllim dhe nuk synon të zgjidhë çështje dypalëshe ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithatë e dimë që bëhet fjalë edhe për marrëdhënie dypalëshe, por gjithashtu, le të themi, për sundimin e ligjit, trajtimin e komuniteteve pakicë dhe ashtu me radhë. Prandaj, do doja të kërkoja shtyrjen e votimit për këtë raport deri më 24 qershor”, tha Vajc javën e kaluar.
Eurodeputetët bullgarë tërhoqën vërejtje se Vajc ishte takuar me politikanë nga Maqedonia, por jo me politikanë nga Bullgaria, dhe se deputeti përgjegjës për raportin ishte shumë i afërt me vendin kandidat. Vajc për “Politiko” deklaroi se për atë është praktikë standarde që të takohet me përfaqësues nga vendi kandidat për të cilin po shkruhet raporti.
Në letrën e 17 përfaqësuesve të Bullgarisë në Parlamentin Evropian dënohet raportuesi Vajc, deputet i të gjelbërve nga Austria, me pretendimin se qeveria e Maqeonisë ndikoi në zhvillimin e tij të negociatave dhe se ai injoroi dhunën ndaj pakicës bullgare atje.
Vajc në deklaratë për “Politiko” tha se ishte cak i sulmeve, sepse, siç tha, nuk iu dorëzua presionit bullgar. Ai i tregoi gazetarit të “Politikos” disa mesazhe kërcënuese që mori pasi numri i tij i telefonit u postua në llogaritë bullgare të rrjeteve sociale të ekstremit të djathtë.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje se ditët e fundit ka marrë informacione për presion të ashpër politik të përsëritur nga eurodeputetët bullgarë dhe Qeveria bullgare, se nëse ky raport votohet, kjo mund të radikalizojë strukturat pro-ruse kundër Qeverisë aktuale pro-evropiane të Bullgarisë.
“Unë do të isha njeriu më i lumtur nëse ky raport votohet në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), e më pas të shkojë në seancë plenare të PE-së. Këto ditë po marr informacione për presione të ashpra politike nga eurodeputetët bullgarë dhe nga qeveria bullgare, të cilët pretendojnë se nëse ky raport votohet, kjo mund të radikalizojë rrymat proruse kundër qeverisë aktuale proevropiane në Bullgari. Kjo mjafton për t’ju dhënë një përgjigje se në çfarë gjendje është një vend anëtar i BE-së dhe kush në të vërtetë e pengon procesin e integrimit evropian – për të cilin nga opozitarja LSDM apo nga opozita në përgjithësi janë të gatshëm verbërisht vetëm të firmosin. Imagjinoni nëse do të ishim politikanë kaq të pamatur dhe naivë – ku do të ishte fundi? Por ne do të luftojmë, do të vazhdojmë të luftojmë dhe një pjesë e anëtarëve të AFET-it dhe eurodeputetëve na japin mbështetje të madhe”, theksoi Mickoski.
Kryeministri shtoi se për ne është e mjaftueshme që më në fund ka dalë në sipërfaqe strategjia e vërtetë bullgare.
“Për ne është e mjaftueshme që përfundimisht doli në pah arsyeja dhe strategjia e vërtetë, që vjen nga fqinji ynë lindor, e ajo është krijimi i një kombi aktual maqedonas, me një identitet aktual maqedonas, që flet gjuhën e tij aktuale amtare dhe që mbështetet në rrënjët bullgare”, tha Mickoski.
The post Rokas: PE është një institucion i pavarur, nuk mund të komentoj ose të bëj parashikime rreth raportit të Vajcit appeared first on Telegrafi.