
Rreth 500 persona janë paraqitur për përfshirje në ekipet zjarrfikëse nëpër njësitë komunale në nivel shteti, ndërkohë që sipas planit do të angazhohen 400. Më së paku interesim kishte në Shkup, ku janë paraqitur vetëm 50 persona. Numri një i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, sqaroi se tani fillon afati dyditor i stërvitjeve, ku njëkohësisht do të bëhet edhe përzgjedhja e atyre që do të zhvillohen në drejtim të zjarrfikësve.
“Kemi pak më pak se 500 persona të paraqitur në të gjithë territorin e shtetit. Neve na nevojiteshin 400. Për fat të keq numri në Shkup është pak më i vogël, ndër 50, ndërsa ne kemi pritur 80 persona. Këta persona, meqë sot përfundon afati formal, në dy tre ditët e ardhshme do të kontaktohen, të njëjtit do të thirren në njësitë lokale të zjarrfikësve, por disa prej tyre, ata në Shkup, në DMSH. Do të fillojnë me së paku dy ditë stërvitje, në këtë periudhë do të bëhet përzgjedhje i atyre që më tej mund të vazhdojnë të zhvillohen në drejtim të zjarrfikësve”, deklaroi Stojançe Angellov, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Lidhur me reagimet për pagesën prej vetëm 24 mijë denarësh, Angellov e cilësoi angazhimin e qytetarëve si vullnetar, duke nënvizuar se ata që do të punësohen, do të paguhen më së paku 40 mijë denarë.
“Këta persona nuk paguhen 24 mijë denarë, këtë më shumë e konsideroj si vullnetarizëm, vlerësoj se është në korniza të kyçjes vullnetare në një masë qeveritare, me qëllim që të njëjtit të përzgjidhen për punësim në njësitë zjarrfikëse lokale territoriale, ku paga është shumë më e lartë. Siç kam informacione sidomos në njësitë territoriale më të forta, prej 40 mijë denarë e më lartë, varësisht nga pozicione”, shtoi Stojançe Angellov, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Angellov, paralajmëroi formimin e një njësie speciale për mbrojtje dhe shpëtim, ku pjesëtarët do të jenë më të paktë në numër, por do të paguhen më shumë se zjarrfikësit. Këta persona do të jenë shumë më të përgatitur fizikisht, dhe do të përdoren në terrenet më të vështira, aty ku një zjarrfikës mesatar nuk do të mund të depërtojë. /Alsat/
The post Rreth 500 persona janë paraqitur për përfshirje në ekipet zjarrfikëse në RMV appeared first on Telegrafi.