Rritet numri i turistëve në Maqedoni

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Maqedonia po bëhet një destinacion tërheqës për turistët e huaj. Të dhënat tregojnë se mbi 101 mijë të huaj e kanë vizituar vendin deri në maj, që përbën një rritje prej 27,7 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Destinacionet më tërheqëse kanë qenë Shkupi dhe Ohri. Ndërsa më së shumti vizitorë kanë ardhur nga Turqia, Gjermania, Franca dhe Serbia. Po ashtu, janë edhe mërgimtarët tanë që gjatë verës vizitojnë të afërmit e tyre. Punonjësit në turizëm janë të kënaqur, por thonë se shifrat mund të jenë edhe më të larta.

“Ka shumë banesa dhe qiradhënës në Shkup dhe në Maqedoni që nuk i paraqesin mysafirët e huaj. Ne mendojmë se nëse këta mysafirë do të regjistroheshin, numri i turistëve të huaj që qëndrojnë në Maqedoni do të ishte jashtëzakonisht më i madh”, tha Arkan Kerim, kryetar i Dhomës për Turizëm dhe Hotelieri.

Shifrat aktuale të turizmit janë shumë të mira, por mund t’i rrisim edhe më shumë, thotë Kerimi. Sipas tij, numri i turistëve të huaj që vijnë në vend mund të dyfishohet, por ende ka punë për të bërë.

“Së pari duhet ta përmirësojmë higjienën në qytete, në një nivel më të lartë. Tani, në prag të zgjedhjeve lokale, duhet të rregullohen sheshet e qyteteve dhe rrugët kryesore në të gjithë Maqedoninë. Duhet të bëjmë një promovim të mirë të Maqedonisë jashtë vendit. Qoftë me reklama në media, qoftë me promovime dhe prezantime në shtetet e huaja që janë tregje potencialisht të mira për të sjellë turistë të huaj në Maqedoni”, theksoi Arkan Kerim, kryetar i Dhomës për Turizëm dhe Hotelieri.

Advertisement

Në sektorin e turizmit në vend punojnë rreth 26.000 persona, ndërsa turizmi përbën 7,4% të BPV-së. Nëse trendi i rritjes së turistëve vazhdon, pritet që këtë vit të tejkalohet rekordi i vitit të kaluar. Deri në fund të vitit pritet të arrihen rreth 1,5 milion turistë të huaj, që do të sillte të ardhura nga turizmi deri në 500 milionë euro./TV21/

The post Rritet numri i turistëve në Maqedoni appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy