
Deri në fund të muajit duhet të dihet modeli se si do të reagohet në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore. Kryeministri Hristijan Mickoski sot në deklaratë për mediat tha se ende po kryhen analiza dhe se po shqyrtohen disa qasje, pa zbuluar detaje të mëtejshme.
“Parametrat ende po analizohen, kemi tregues të qartë se ku është inflacioni bazë që ndikon në inflacionin përfundimtar. Pres që deri në fund të këtij muaji ta kemi konceptualizuar modelin dhe nëse ky trend vazhdon edhe në muajt në vijim, do të kemi masa. Po shqyrtojmë disa qasje. Po konsultohemi me profesorë, dhe ata po bëjnë analiza, edhe ne po bëjmë analiza edhe me Inspektoratin e Tregut. Po flasim edhe me zinxhirët e marketeve, kështu që na duhet një qasje e përbashkët, të mos e shohim veten si palë të ndryshme, por ta shohim problemin në mënyrë holistike për të arritur një zgjidhje të përhershme, tha Mickoski në një konferencë të përbashkët për shtyp në Qeveri me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale Zlatko Perinski.
Sipas Mickoskit, është shumë më e rëndësishme të shihet se nga vjen problemi me rritjen e çmimeve dhe të reagohet aty, në vend që të merren masa afatshkurtra.
“Pjesa më e madhe e fokusit tonë është te inflacioni bazë. Është më e lehtë të zbatohet një masë që do të japë rezultate në afat të shkurtër, por tani po e analizojmë më hollësisht për të parë se nga vjen problemi. Interesi ynë si Qeveri është të kemi qytetarë të kënaqur që do të kenë çmimet më të ulëta në Evropë, por pyetja është nëse kjo është realisht e mundur. Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që qytetarët, brenda mundësive tona, të kenë çmimet më të ulëta në Evropë, por duhet të hyjmë në bazë, në themel”, tha Mickoski.
Më 7 korrik, kryeministri paralajmëroi se do të kryhet një analizë e detajuar e inflacionit bazë, pas së cilës do të dalin me masa të sakta dhe të synuara.
“Nuk jemi të kënaqur që kjo po ndodh, por duhet të bëjmë një analizë të detajuar në fushën e inflacionit bazë sepse bisedova me disa profesorë të ekonomisë dhe përfundimi është se pjesa e produkteve që krijojnë këtë inflacion ndoshta në raportin furnizues-market nuk është rritur aq shumë, sa në inflacionin bazë dhe në fushën e inflacionit të shërbimeve. Shumë shpejt do të ketë masa që duam të jenë të sakta dhe të synuara. Nuk duam që ato të jenë masa që do të shkaktojnë stuhi”, tha Mickoski në konferencën për shtyp në Qeveri.
Të dhënat e Entit shtetëror të statistikës tregojnë se shpenzimet e jetesës në qershor janë rritur për 4,5 për qind në nivel vjetor, ndërsa çmimet në pakicë për 3,7 për qind.
The post Rritja e vazhdueshme e çmimeve, Mickoski: Deri në fund të muajit do të kemi një model veprimi dhe do të dihet se çfarë masa do të ndërmarrim appeared first on Telegrafi.