
Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini e ka dënuar sjelljen e turpshme të tifozëve të Prilepit ku në ndeshjen e sotme me Shkëndijen e Haraçinës pati provokime dhe brohoritej në gjuhën maqedonase: “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët”.
“Dënoj ashpër çdo formë huliganizmi dhe sjellje të dhunshme në ambientet sportive. Ngjarjet e ndodhura gjatë ndeshjes ndërmjet KF Shkëndija – Haraçinë dhe KF Pobeda në Prilep janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë imazhin e sportit si aktivitet që bashkon njerëzit dhe nxit respektin e ndërsjellë. Apeloj që institucionet kompetente të ndërmarrin masa ndaj çdo akti huliganizmi, në mënyrë që stadiumet të mbeten vende të sigurta dhe të respektuara për sportistët dhe tifozët e të gjitha komuniteteve”, deklaroi ajo.
Sadiki Shaini shtoi se do të vazhdojë me përkushtim të promovojë zero tolerancë ndaj dhunës dhe gjuhës së urrejtjes në sport, “duke e kthyer atë aty ku i takon – në shërbim të paqes, respektit dhe bashkimit”.