
Inspektorati për përdorimin e gjuhëve më në fund po sheh dritë në fund të tunelit.
Kuvendi arriti të sigurojë shumicë të badenterit për të votuar ndryshimet ligjore me të cilat inspektorati do të gëzojë statusin e subjektit juridik dhe kështu të gjithë të punësuarit pas gjashtë muajve vonesa, do të marrin pagat e tyre.
Shumica sot shfrytëzoi momentin e mungesës së shumicës së deputetëve nga radhët e Frontit Evropian, dhe me 72 vota PRO dhe 3 Kundër, si dhe me 14 vota PËR dhe 5 kundër nga deputetët jo maqedonas, miratoi ndryshimet ligjore.
Si pjesë e badenterit, të vetmit që votuan kundër ishin deputetët Mitko Trajçuleski, Arbana Pasholli, Sali Murat, Rijad Shaqiri e Halil Snopçe. Disa deputetë të Frontit Evropian dhe Levicës, nuk votuan fare.
Pos Inspektoratit, me badenter kaluan edhe anëtarët e Këshillit të Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuale. Të propozuarit për anëtarë në këtë këshill, u votuan me 20 vota PËR dhe 4 KUNDËR. PRO votuan edhe tre deputetët e ASH-së së Taravarit, meqenëse një prej të propozuarve vjen pikërisht nga radhët e tyre, Afrona Verzivolli. Kundër votuan Levica dhe deputetët e Frontit, Talat Xhaferi dhe Sali Murat.
Kuvendi gjithashtu me badenter votoi edhe këshillin programor të Radio Televizionit të Maqedonisë. Pro votuan 20 deputetë, aq sa nevojiteshin minimum, ndërsa ndihmuan dy deputetët e LSDM-së, tre deputetët e ASH-së së Taravarit si dhe deputeti Bejxhan Iljas.
Nga gjithsej 120 deputetë që përbëjnë Kuvendin, 40 prej tyre nuk janë maqedonas por të drejtë vote si pjesë e badenterit kanë vetëm 39 prej tyre pasi deputetja Rashella Mizrahi i përket komunitetit hebraik, komunitet i cili nuk është pjesë e Kushtetutës. Shumica parlamentare për momentin ka vetëm 14 deputetë jo maqedonas ndërsa opozita 25. Sipas rregullores por edhe sipas marrëveshjes së Ohrit, ligjet të cilat në mënyrë direkte prekin kulturën, përdorimin e gjuhëve, vetëqeverisjen lokale, arsimin, dokumentet personale, përdorimin e simboleve e shumë tema tjera të rëndësishme, gjatë votimit doemos duhet të votojnë edhe shumica e deputetëve jo maqedonas, apo e ashtu quajtur shumicë e badenterit, që në këtë rast, duhet të votojnë së paku 20 deputetë./Alsat/
The post Shumica në Kuvend siguron “Badenter”, miratoi disa ligje appeared first on Telegrafi.