Janë shtrenjtuar shërbimet hotelerike si dhe produktet ushqimore pas përfundimit të masave qeveritare. Çmimet nuk paraqesin gjendjen reale ekonomike të qytetarëve, veçanërisht të punëtorëve. Shumica prej tyre nuk mund t’i lejojnë vetes të pinë një kafe në shesh sepse është tepër shtrenjtë, thotë kryetari i Sindikatës së punëtorëve të hotelerisë, turizmit, ekonomisë komunale dhe banesore, zejeve dhe shoqërive mbrojtëse të Maqedonisë, Stojançe Kashikovski.
Sipas tij, është absolutisht joreale që një kafe espreso të kushtojë 150 denarë.
“Për fat të keq, janë rritur çmimet e produkteve ushqimore, kafesë dhe shërbimeve të tjera hotelerike. Jemi dëshmitarë se në periudhën e fundit, pas përfundimit të masave të miratuara nga Qeveria ka rritje të çmimeve. Dëshmi për këtë është edhe Enti Shtetëror i Statistikave i cili kohë më parë publikoi të dhëna për inflacionin në periudhën maj – prill. Pamë se rritja është rreth 3.3 për qind. Kjo është më shumë dëshmi e asaj që ne vetë, qytetarë dhe punëtorë, shohim në dyqane dhe tregje, se me të vërtetë ka rritje të çmimeve. Dëshmi për këtë është edhe shporta e konsumatorit sindikal e cila është rritur pas përfundimit të masave për ngrirjen e çmimeve të produkteve. Konsideroj se çmimet nuk paraqesin situatën aktuale ekonomike në të cilën qytetarët tanë, punëtorët, mund t’i lejojnë vetes të pinë kafe në shesh. Sipas mendimit tim është jashtëzakonisht shtrenjtë”, ka thënë Kashikovski pasi nënshkroi Memorandumin për bashkëpunim me partnerë nga Italia, Bullgaria dhe Malta.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Kashikovski tha se për shkak të pagave të ulëta në hoteleri dhe turizëm, punëtorët tanë nga këta dy sektorë po largohen drejt vendeve fqinje ose vendet anëtare të BE-së.
“Këta punëtorë ekzistencën e tyre e gjejnë ose në fqinjësi ose vendet e BE-së si Kroacia dhe Sllovenia”, tha ai.
Përfaqësuesi sindikal nga Bullgaria, Jordan Jordanov dhe bartës i projektit ku u nënshkrua Memorandumi i bashkëpunimit informoi se në sheshin në Sofje një kafe kushton dy euro. Siç tha ai për dy euro në sheshin e kryeqytetit mund të pihet kafe e mirë.
The post Sindikata e punëtorëve të hotelerisë: Në Shkup një kafe espreso kushton 150 denarë, punëtorët e sektorit po largohen nga Maqedonia drejt vendeve fqinje appeared first on Telegrafi.