
“Këtë vit pritet që rritja ekonomike të jetë tre për qind, ndërsa në afat të mesëm, projeksionet tregojnë rritje ekonomike prej rreth katër për qind. Skenari bazë makroekonomik tregon për një dinamikë solide të rimëkëmbjes së mëtejshme ekonomike”, theksoi guvernatori Trajko Slaveski në intervistë për portalin “Pari”.
Slaveski theksoi se nxitës kryesor i rritjes janë investimet, të mbështetura nga cikli i paralajmëruar infrastrukturor publik, por edhe nga fluksi i investimeve të huaja dhe mbështetja solide e kreditit të sektorit të korporatave nga ana e bankave.
“Vitin e kaluar, investimet e huaja direkte arritën një nivel jashtëzakonisht të lartë prej rreth shtatë përqind të PBB-së, gjë që me siguri do t’i japë një shtysë pozitive ekonomisë në përgjithësi. Gjithashtu, edhe në tregun e kredisë është e dukshme mbështetja kreditore në rritje e kompanive. Ajo që mund të shohim përmes të dhënave është rritja e vazhdueshme si e të ardhurave të disponueshme të popullsisë ashtu edhe e financimit kreditor të konsumit të amvisërive. Prandaj, ky komponent i kërkesës do të ketë gjithashtu një kontribut pozitiv në rritje. Në rrethana të një mjedisi të jashtëm disi më pak të favorshëm, këtë vit sektori i eksportit pritet të ketë një normë modeste rritjeje dhe të rimëkëmbet gradualisht në periudhën në vijim”, thotë Slaveski, duke vënë në dukje se ka edhe rreziqe pozitive në rritje, ku disa nga investimet e paralajmëruara në infrastrukturë nuk janë përfshirë plotësisht në projeksionet. Megjithatë, në afat të mesëm, pritet ndikim pozitiv nga anëtarësimi në NATO dhe anëtarësimi në Zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA), si dhe nga Plani i ri i BE-së për rritje të Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me inflacionin, ai nënvizon se revizioni i normës së projektuar të inflacionit është i moderuar dhe është bërë vetëm për këtë vit.
“Ky korrigjim pasqyron dinamikën disi më të fortë të rritjes së çmimeve që nga fillimi i vitit, kryesisht në çmimet e produkteve ushqimore, por edhe revizionet për lëvizje të disa çmimeve të importit në bursat botërore në periudhën e ardhshme. Në afat të mesëm, projeksioni nuk ka pësuar ndryshime, përkatësisht edhe më tej pritet që inflacioni të ulet në mesataren historike prej dy për qind. Me këtë rrugë të projektuar për inflacionin vendas, pritet që hapësira në raport me inflacionin në eurozonë, e cila tashmë është ulur ndjeshëm krahasuar me atë të vitit 2022, të vazhdojë të ngushtohet”, theksoi guvernatori, duke potencuar se Banka Popullore do të vazhdojë të veprojë drejt arritjes së stabilitetit të çmimeve, në koordinim me politikën fiskale
The post Slaveski: Projeksionet e fundit të Bankës Popullore tregojnë përshpejtim të rritjes dhe ulje të inflacionit appeared first on Telegrafi.