Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, reagoi pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), duke theksuar se afati ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura në katër komunat ku nuk pati regjistrim të popullsisë filloi më 29 tetor, ndërsa jo nga dita e shpalljes përfundimtare të rezultateve.
Sipas tij, afati 60-ditor për mbajtjen e zgjedhjeve në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë filloi të ecë nga kjo datë, kështu që ato duhet të mbahen më së voni deri në fund të dhjetorit.
“Duhet të bëhet një dallim midis përfundimit për shpalljen përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve dhe përfundimit të zgjedhjeve. Ligji është i qartë – afati 60-ditor llogaritet nga shpallja e rezultateve përfundimtare, që në këtë rast është 29 tetori.
Prandaj, zgjedhjet duhet të mbahen deri në fund të dhjetorit”, theksoi Snopçe./Telegrafi/
