Fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, përfundon sonte në mesnatë. Kjo shënon fillimin e heshtjes zgjedhore, e cila do të zgjasë deri në mbylljen e qendrave të votimit në orën 19:00 të dielën.
Në raundin e dytë, zgjedhjet për kryetar bashkie do të mbahen në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, ndërsa rivotim për këshilltarë do të mbahet në tre qendra votimi në Shuto Orizare.
Në Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë, procesi zgjedhor do të përsëritet për shkak të mosarritjes së pragut në raundin e parë të mbajtur më 19 tetor.
Në Qytetin e Shkupit kanë të drejtë vote 474,304 votues, të cilët do të zgjedhin midis Orce Gjorgievskit nga OBRM-PDUKM dhe Amar Mecinoviqit nga E Majta.
Ndërsa garë interesante pritet të jetë edhe në Tetovë, ku do të garojnë Bilall Kasami nga VLEN dhe Bajram Rexhepi nga AKI./Telegrafi/
