Gjykimi për tragjedinë në diskotekën Puls në Koçani, në të cilën humbën jetën 63 persona dhe u lënduan rreth 200 të tjerë, fillon sot. Seanca e parë dëgjimore është caktuar për në orën 9:30 të mëngjesit në sallën e gjyqit në burgun e Idrizovës, me masa të përforcuara sigurie dhe praninë e një ekipi mjekësor.
Çështja përfshin 38 të pandehur – 35 individë dhe tre persona juridikë, dhe procedura do të zhvillohet me një ritëm prej dy seancash dëgjimore në javë. Gjykata u bën thirrje mediave për raportim dinjitoz pa sensacionalizëm, me respekt për viktimat dhe familjet e tyre.
Gjykimi do të drejtohet nga gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, dhe prokuroria do të përfaqësohet nga një ekip i zgjeruar prej 15 prokurorësh publikë, me qëllim sigurimin e një procedure efikase dhe të drejtë.
Aktakuza mbulon krime të rënda kundër sigurisë publike, duke përfshirë mangësi serioze në organizimin e sigurisë së objektit.
Midis të pandehurve janë pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, kryetarë komunash, roje sigurie dhe nëpunës civilë.
