
Gjykata Penale në RMV njoftoi sot (18 korrik) se është zgjatur paraburgimi ndaj të akuzuarve për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan.
Njëkohësisht, ata informojnë se aktakuza tashmë u është dorëzuar te të gjithë të akuzuarit dhe avokatëve të tyre. Pasi ta marrin atë, fillon një periudhë tetëditore për ankesa. Pas skadimit të kësaj periudhe, këshilli gjyqësor do të mblidhet dhe do të informojë publikun për hapat e mëtejshëm.
Gjykata konfirmoi gjithashtu se Prokuroria Themelore Publike në Shkup do të zhvillojë pjesën e mëtejshme të procedurës.
“Gjykata Penale në kuadër të këtij gjyqi, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike – Koçan për zgjatjen e masave për sigurimin e pranisë së të akuzuarve, vazhdoi masën e paraburgimit për të akuzuarit D.J. nga Koçani, T.J. nga Koçani, Xh.K. nga Shkupi dhe B.H. nga Shkupi. Ndërsa masa e arrestit shtëpiak u zgjat për të akuzuarit M.S., O.G., Lj.P., I.G., M.G., S.D., të gjithë nga Koçani, pastaj J.J. dhe Lj.G. nga Shkupi si dhe B.M. dhe Sh.H., nga Tetova dhe E.M. nga Vinica”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Lidhur me aktakuzën konkrete KOOA 155/25, informojnë se më 02.07.2025 në pasdite, shkresat e çështjes janë dorëzuar në gjykatë, së bashku me të gjithë materialin e provave, duke përfshirë raportet e ekspertëve, dokumentacionin mjekësor, si dhe pajisjet teknike të sekuestruara gjatë hetimit.
Pastaj, rastet dhe të gjitha propozimet u futën në sistemin AKMIS, dhe të nesërmen akti iu shpërnda një këshilli për vlerësim./Telegrafi/
The post Të akuzuarve për rastin në Koçan u zgjatet paraburgimi appeared first on Telegrafi.