
Tetë ditë paraburgim për prindin 43 vjeçar nga Shkupi i cili dje gjatë një ndeshje futbolli të gjeneratës 2009-2010 mes klubeve të “Shkupit” dhe Bregallnicës” në stadiumin “Belo Brdo” në Shtip fizikisht ka sulmuar dy futbollist të rinj.
Gjyqtari i procedurës paraprake dhe njëkohësisht edhe zëdhënës i Gjykatës Themelore në Shtip, Sashko Georgiev për Agjencionin Informativ të Lajmeve konfirmoi se personit A.A nga Shkupi i është caktuar masa e paraburgimit prej tetë ditësh, pas së cilës do të pasojë gjykim në një procedurë të shkurtuar. Personi i dyshuar do të dërgohet në burgun e Kumanovës.
Prokuroria Themelore Publike – Shtip sot filloi procedurë kundër një personi për veprën penale – Dhunë sipas nenit 386 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit penal.
“I dyshuari ka kryer dhunë më 24 gusht në stadiumin ‘Belo Brdo’ në Shtip, gjatë një ndeshje futbolli midis ekipeve të të rinjve të klubeve të futbollit ‘Bregallnica’ dhe ‘Shkupi’. Me veprimet e tij ai ka rrezikuar sigurinë e dy fëmijëve të lindur në vitin 2010, lojtarë të ekipit të ‘Bregallnicës’ duke u shkaktuar lëndime trupore. Përveç kësaj, tek të dëmtuarit, tek pjesa tjetër e publikut të pranishëm dhe në publik ka shkaktuar ndjenjë pasigurie, kërcënimi dhe frike”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Komisioni disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) gjatë ditës duhet ta publikojë edhe vendimin se çfarë masa disiplinore do të merret për këtë ngjarje në Shtip.
The post Tetë ditë paraburgim për prindin që sulmoi fëmijët gjatë një ndeshje futbolli në Shtip appeared first on Telegrafi.