
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi sot se sistemi “one stop shop” me Serbinë pritet të lançohet zyrtarisht më 5 korrik. Ratifikimi përfundimtar i marrëveshjes u zhvillua dje dhe faza e testimit të sistemit është duke u zhvilluar.
“Dje u bë ratifikimi përfundimtar i marrëveshjes që nënshkruam më parë me kolegun tim Ivica Daçiç. Shpresoj që më 5 të muajit të ardhshëm të kemi një lançim zyrtar të sistemit “one stop shop” me Serbinë, ku me përdorimin e tij të duhur do të arrijmë një transferim shumë më të shpejtë të qytetarëve në atë kufi. Ky është aktualisht kalimi kufitar më i shpeshtë dhe do të ketë lehtësim sa i përket shpejtësisë së fluksit të njerëzve”, tha Toshkovski gjatë vizitës së Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari.
Ai shtoi se do të zbatojnë një sistem që është i përshtatshëm në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sistemi “one stop shop” tashmë është lançuar me Kosovën.
“Thënë thjesht, ne mbrojmë hyrjen tonë, dhe oficerët e policisë nga Serbia do të mbrojnë hyrjen në Serbi, duke shkëmbyer informacione shumë shpejt. Jam i lumtur që me kolegun tim nga Kosova për Punë të Brendshme, e kemi vënë në funksion “one stop shop”, siç duhet të funksionojë, në dy kalimet kufitare që kemi me Kosovën”, tha Toshkovski./Telegrafi/
The post Toshkovski: Sistemi “one stop shop” me Serbinë do të fillojë më 5 korrik appeared first on Telegrafi.