
“Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë po zhvillon kontrolle të shtuara, dhe kjo që para se të fillojë grumbullimi, në pjesën e kalibrimit të peshoreve, si dhe në pjesën e kushteve të tjera nëse janë përmbushur, me qëllim të parandalimit të parregullsive gjatë procesit të grumbullimit të rrushit”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski në edicionin informativ të televizionit KTV në Kavadar.
“Mund t’ju them se pushimet vjetore të inspektorëve janë pezulluar gjatë periudhës së grumbullimit të rrushit, në mënyrë që të jenë të pranishëm në terren dhe të vëzhgojnë procesin e grumbullimit”, sqaroi ministri.
Ai theksoi se nuk do të ketë lëshime. Qëllimi është të respektohen të gjitha rregullat gjatë grumbullimit të rrushit. Në paraqitjen e tij, ministri shtoi se është në proces edhe hartimi i Ligjit për pije të forta.
“Është formuar një grup pune i cili do të përgatisë Ligjin për pijet e forta, i cili do të mbyllë çështjet që kanë qenë të hapura ndër vite”, tha ministri Tripunovski.
Duke folur për Ligjin për pijet e forta, ministri theksoi se do të ketë edhe ndryshime në Ligjin për verën. Ndryshimet që po bëhen në këtë ligj do të jenë të pranueshme si për kultivuesit e rrushit, ashtu edhe për kantinat e verës.
“Nuk duam të sjellim një ligj të nxituar që vetëm do t’i komplikojë proceset. Ajo që do të sjellim do të jetë një zgjidhje për problemet e trashëguara nga e kaluara, përkatësisht mbyllja e të gjitha çështjeve të hapura”, theksoi ai.
The post Tripunovski: Kontroll të shtuar nga inspektorët dhe tolerancë zero ndaj parregullsive gjatë grumbullimit të rrushit appeared first on Telegrafi.