
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në një intervistë paraqiti shifrat dhe njoftoi masa konkrete me të cilat shteti e orienton fokusin drejt rritjes së prodhimit vendor dhe sigurimit të rezervave shtetërore me produkte maqedonase.
Ai tha se korrja e këtij viti e grurit solli rritje të konsiderueshme dhe rezultate pozitive për bujqësinë vendore.
“Korrja e grurit këtë vit është kryer në sipërfaqe më të mëdha në krahasim me vitin e kaluar. Sipas të dhënave me të cilat disponon Ministria, gruri është mbjellë në rreth 70.000 hektarë, ndërsa nga korrja janë mbledhur mbi 280.000 tonë, sasi që pothuajse i mbulon tërësisht nevojat vendore”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.
Ministri theksoi se institucioni po punon aktivisht në transformimin e sistemit bujqësor, me një synim të qartë – uljen e varësisë nga importi.
“Po punojmë për rritjen e prodhimit, me qëllim që Maqedonia më në fund të mos cilësohet si shtet i varur nga importi. Trendi i rritjes së prodhimit është tregues serioz”, sqaroi ai.
Tripunovski paralajmëroi se pas një periudhe të gjatë, shteti do të mbushë sërish rezervat me prodhim vendor.
“Nuk mund të lejojmë që rezervat shtetërore t’i mbushim me grurë që vjen jashtë kufijve tanë, por rezervat do t’i mbushim me grurin tonë vendor. Është shpallur edhe thirrja e parë për furnizim me 9.000 tonë nga korrja e vitit 2025, drejtpërdrejt nga prodhuesit”, theksoi ministri Tripunovski.
The post Tripunovski: Korrja e grurit këtë vit solli rritje të konsiderueshme dhe rezultate pozitive në bujqësinë vendore appeared first on Telegrafi.